Rama ironizon opozitën: Shqipëria ofron edhe “turizëm protestash”

Kryeministri Edi Rama ironizoi aksionin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj.

Duke folur në Lezhë për investimet në turizëm shefi i qeverisë tha se Shqipëria të përfshihet në listën e vendeve që mund të ofrojë edhe “turizëm protestash”.

“Ne mund të bëhemi një vend, që do mund të ofrojmë edhe turizëm protestash. Me që kanë orare të përcaktuar dhe që mbeten me perimetra shumë të vegjël dhe me të gjithë atë skenografinë e përgatitur për të argëtuar njerëzit përmes ekraneve, duke iu sugjeruar edhe vizitorëve të shohin edhe një protestë,vetëm se do të numërohen si protestues dhe do i rrisin numrin artificialisht”, ka thënë Rama.

Duke iu referuar shifrave, kryeministri theksoi se vitet e fundit numri i turistëve të huaj që kanë zgjedhur destiancionet shqiptare është rritur ndjeshëm.

“Numri i turistëve nordikë, këtë vit rritet me 20 % dhe ai i turistëve polakë me 40 %. Këto janë shifra që vijnë nga kontrata të operatorëve.Shifrat e 4 mujorit të parë e të këtij muaji janë inkurajuese. Në muajin mars patëm 10 % më shumë të huaj që hynë në Shqipëri dhe në prill pothuajse 10 % më shumë”, tha Rama.

Por përr Ramën ndikim në zhvillimin e turizmit ka dhënë edhe rilindja urbane qe ka transformuar qendrat e qyteteve nga veriu në jug të vendit.