Foro: BIRN

Rama: Fitoi e ardhmja, shteti, qytetaria dhe shpresa

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp në orën 21:00 të së dielës, ku deklaroi se “sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, forca e politikës, qytetaria dhe shpresa”.

“Sot ishte 30 Qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi dramën e një përçarjeje të rëndë politike të frymëzuar, nxitur dhe organizuar për të penguar ecjen tonë drejt integrimit të Shqipërisë në Evropë. Sot fitoi e ardhmja, fitoi shteti, forca e politikës, qytetaria dhe shpresa. Fitoi me të drejtë Shqipëria e nesërme evropiane e fëmijëve tanë. Ishte fitorja më e vështirë deri më sot, sepse nuk luftuan kundërshtarë në zgjedhje, por vetë sistemi i brishtë demokratik me kundërshtarët e ndërkryer të vetë zgjedhjeve”, theksoi Rama, përcjell RTK.

Kreu i qeverisë shtoi se “30 Qershori që dukej sikur nuk do të vinte kurrë, po ikën paqësisht duke marrë me vete hijen e rrëmujes sociale dhe kaosit institucional”.

Rama falenderoi edhe ndërkombëtarët: “Shqipëria demokratike u lëkund, por nuk u rrëzua edhe falë mbështetjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë”.

“Pas pak hyn një ditë e re që vjen e ngarkuar me barrën e rëndë të kurimit të plagës që hija e marrëzisë përçarëse ka lënë pas. Kombi shqiptar si i tërë nuk e meritonte gjithë sa pa, dëgjoi e përjetoi, me muaj që dukeshin si vite në errësirën frikësuese të tërë gjysmës së sapoikur të vitit”, theksoi Rama.

“Nga sot, Shqipëria nuk do të shohë më bojkotime mandatesh dhe parti molotov. Ne, fitimtarët e këtij 30 qershori duhet të ngulim thellë në mendje, nuk fituam sepse kemi bërë punë të mira. Kemi bërë punë edhe gabim, edhe keq. E nëse nuk e kuptojmë jetën kështu, njerëzit nga nesër do të jenë më shumë të drejtë, më pak të duruar me ne dhe të prirur të kuptojnë gabimet tona”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi për opozitën: “Ata sot janë aty ku e meritojnë, në gropën që donin të hapnin vetë. Nëse duan paqe politike, paqe do të kenë. Dhe paqja fillon vetëm duke u tërhequr nga sulmet e Shqipërisë në gjuhë të huaj. Vendimi i tetorit nga Këshilli nuk është në dorën tonë, por mund të bëjmë më shumë nëse kujën e brendshme nuk e bëjmë të jashtme. Dora ime është e shtrirë. Me opozitën parlamentare dhe atë joparlamentare. Është një karrige bosh në Reformën Zgjedhore. Reforma në Drejtësi nuk negociohet”./RTK