Rahoveci shpallë të hënën ditë zie për tri viktima e aksidentit në Bërnjak

Komuna e Rahovecit ka shpallur ditën e hënë ditë zie pas aksidentit në fshatin Bërnjak të Rahovecit, ku mbetën të vdekur tre persona.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, në postimin e tij ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave të këtij aksidenti.

“Në përputhje me kompetencat e mia si kryetar i Komunës së Rahovecit, duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave dhe gjithë qytetarëve, kam vendosur që të hënën, datë 29 korrik 2019, ta shpall ditë zie, pas aksidentit tragjik të ndodhur sot në Rahovec. Me këtë rast, të gjithë flamujt që janë të vendosur në institucionet komunale, do të ulen në gjysmështizë”, ka shkruar Latifi.

Për aksidentin në Bërnjak të Rahovecit, ka reaguar edhe shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili përmes një postimit në facebook ka shprehur ngushëllime për viktimat e këtij aksidenti.

“Ndjej keqardhje të thellë për të aksidentuarit dhe familjet e tyre në aksidentin që ndodhi sot në Bërnjak të Rahovecit. është ky një rast tragjik për të gjithë qytetarët e Rahovecit”, ka shkruar Hoti.

Ai tutje ka thënë se Komuna e Rahovecit do të duhej të konsideronte shpalljen e një dite zie, për të treguar se të gjithë bashkë ndjejmë me familjet e të aksidentuarve.

“Kujdesi në trafik duhet të jetë maksimal. Raste si ky na tregojnë sa i rëndësishëm është ky kujdes. Policia duhet te jetë shumë strikte në këtë aspekt, sepse kursen jetë njerëzish”, ka përfunduar Hoti.

KALLXO.com raportoi para pak orëve për askdientin në Bërnjak të Rahovecit, ku mbetën të vdekur tre persona.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Gjakovës, Lirje Podrimaj ka  thënë fillimisht për KALLXO.com se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30.

KALLXO.com raportoi më herët për aksidentin në fshatin Bërnjak të Rahovecit.

Zëdhënësja e policisë në rajonin e Gjakovës, Lirje Podrimaj ka  thënë fillimisht për KALLXO.com se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30

“Rreth orës 16:30, stacioni policor në Rahovec ka marr informacion për një aksident komunikacioni në fshatin Bernjak të komunës së Rahovecit. Patrullat policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit dhe  ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e dy personave në vendin e ngjarjes dhe katër persona kanë pësuar lëndime trupore”, ka thënë Podrimaj.

Pas disa minutave, Podrimaj e ka konfirmuar edhe vdekjen e personit të tretë.

“Informacioni i fundit nga vendi i ngjarjes është se edhe personi i tretë ka vdekur, viktimat janë dy meshkuj dhe një grua”, ka thënë Podrimaj.