Rahovec, digjet shtëpiza prej druri tek Epopeja e UÇK-së

Policia ka njoftuar se dje pas një incidenti me zjarr është djegur një shtëpizë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore si dhe njësiti i zjarrfikësve ndërsa nuk raportohet për të dyshuar ose arrestuar.

Për rastin e njëjtë gjatë ditës së djeshme kishte reaguar edhe drejtori për ekonomi, zhvillim dhe turizën në Komunën e Rahovecit, Artan Asllani.

Ai përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se organet kompetente janë duke u marr me rastin kurse ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që kanë informacione në lidhje me rastin të drejtohen pranë organeve kompetente.

“Mbrëmë mbas mesnatës është djegur shtëpiza prej drurit tek Epopeja e UÇK-së, përball restorant “Bjeshka”.  Ne, me të marr informatën dolëm në vendngjarje dhe vërejtëm se gjithçka ishte djegur. Dëmet janë të mëdha duke ditur edhe rëndësinë që kishte kjo shtëpi për turizmin e komunës sonë. Organet kompetente janë duke u marr me rastin dhe shpresojmë që të gjenden fajtorët për këtë akt të shëmtuar! I ftojmë të gjithë qytetarët tanë, që të kujdesemi për këto objekte që kanë si qëllim turizmin malor dhe rekreacionin që gjendet në këtë pjesë të qytetit!”, ka shkruar Asllani.