Radovan Karaxhiq - Foto: REL/Reuters

Radovan Karaxhiqi la pas një trashëgimi mizorie

Radovan Karaxhiqi është dënuar me burgim të përjetshëm, por në Ballkan, trashëgimia e tij e ligë vazhdon të jetojë nëpërmjet politikanëve që mohojnë gjenocidin dhe refuzojnë të pranojnë të vërtetën për krimet për të cilat ai u dënua.

 

Dhjetë vjet pas fillimit të tij, gjyqit të Radovan Karaxhiqit i ka ardhur fundi i tij. Dhoma e Apelit e Mekanizmit të Gjykatave Penale Ndërkombëtare – faza përfundimtare e Gjykatës së Hagës – la në fuqi dënimin e Karaxhiqit për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Duke u vendosur në anën e prokurorisë, Dhoma e Apelit e rriti dënimin e Karaxhiqit nga 40 vjet – dënimi i tij i parë në vitin 2016 – me burgim të përjetshëm. Ndërsa portat e burgut mbyllen pas tij, çfarë trashëgimie lë pas Karaxhiqi?

Karaxhiqi ishte mjeshtër i imazhit të tij. Ai u ngjit në radhët e klasës politike serbe të Bosnjës para luftës falë forcës së retorikës së tij nacionaliste, premtimeve të tij për të bashkuar serbët në një vend dhe mbështetjes së hershme të lidershipit politik të Serbisë – më e rëndësishmja, natyrisht, nga Sllobodan Millosheviqi i cili pa te Karaxhiqi një partner të dobishëm politik.

Karaxhiqi u prezantua si një pseudo-intelektual – një psikiatër i trajnuar, me raste poet – një njeri letrash që e gjeti veten duke e udhëhequr kombin në kërkimin e tij për vetëvendosje.

Fakti që i ishte gjithashtu një mashtrues i zakonshëm që bëri 11 muaj burg për mashtrim në vitin 1984 nuk ishte pjesë e këtij personi publik të hartuar me kujdes.

Gjatë gjithë luftës, Karaxhiq mbajti aurën e një lideri shpirtëror serb i Bosnjës, i cili foli me klishe nacionaliste dhe banalitet rreth gjendjes së vështirë të kombit të tij që luftonte për mbijetesë etnike, një luftë qytetërimi mes krishterimit ortodoks të serbëve dhe islamit të boshnjakëve.

Ai ia la në dorë punën për vendosjen në praktikë të kësaj ideologjie të pastërtisë dhe supremacisë etnike – gjenocidin dhe spastrimin etnik të boshnjakëve – shefit të tij ushtarak, Ratko Mlladiq.

Por ishte vizioni i Karaxhiqit për serbët e Bosnjës që Mlladiqi dhe burra të tjerë të ushtrisë vunë në zbatim.

Sarajeva u rrethua me urdhër të Karaxhiqit, Srebrenica u pushtua dhe të gjithë djemtë dhe burrat e saj boshnjakë u masakruan, që qytete si Bratunaci, Foca, Kljuci, Prijedori, Sanski Mosti, Vlasenica dhe Zvorniku dhe shumë e shumë të tjerë u spastruan etnikisht nga jo serbët.

Ndërsa lufta përfundoi në vitin 1995 me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit që i dha fund konfliktit në vend, duke shpërblyer de facto serbët e Bosnjës me të gjitha fitimet territoriale që kishin grumbulluar gjatë fushatës së tyre të terrorizmit dhe spastrimit etnik, Karaxhiçi u zhduk.

Për 12 vjet me radhë ai iu fsheh drejtësisë ndërkombëtare, duke u ndihmuar nga një rrjet mbështetësish në Mal të Zi, Serbi, Republikën Srpska dhe me shumë gjasa dhe në vende të tjera.

Roli qendror i Karaxhiqit ndaj krimeve të luftës në Bosnjë u venit ndërsa Gjykata mori përsipër raste të tjera të profilit të lartë, ndër të cilët ishte edhe rasti i Sllobodan Millosheviqit.

Në kohën kur çështja e Karaxhiqi nisi në Hagë, rëndësia dhe urgjenca e drejtësisë ndërkombëtare nuk ishte më atje.

Gjyqi i Millosheviqit dështoi në mënyrë spektakolare me vdekjen e tij në paraburgim në vitin 2006. Farsa që ishte gjyqi 11-vjeçar i Vojisllav Sheshelit mori të gjithë oksigjenin në Hagë.

Qeveritë në Beograd dhe Sarajevë – dhe sigurisht në kryeqytetet e huaja – kishin përparësi të tjera.

Kur Karaxhiqi u arrestua më në fund në korrik 2008 në një autobus publik në Beograd, ai arriti edhe një herë ta sillte historinë rreth tij dhe jo rreth viktimave të tij, apo krimit të tij apo projektit të mjerë politik që drejtoi.

Historia vërtitej rreth maskimit të tij, jetës së tij si një “shërues shpirtëror”, baret e Beogradit që ai frekuentonte, klani misterioz i mbështetësve që e ndihmuan atë të shmangë drejtësinë.

Gjatë viteve, veshjet e tij qesharake dhe flokët e mbajtura bisht u bënë historia e Karaxhiqit. Ai u shndërrua në një shaka, një meme në Internet, pjesë e repertorit të pafund global të racizmit, islamofobisë dhe supremacisë së bardhë.

Por Radovan Karaxhiq nuk është një shaka, një meme, një pjesë e folklorit ballkanas, një fytyrë në një bluzë që mund ta blesh nëpër tezgat e Beogradit.

Ky është njeriu që urdhëroi që qyteti i Sarajevës të vihej nën rrethim për katër vjet me radhë, të lihej pa ushqime dhe furnizime të tjera, i shndërruar në një kamp përqendrimi të hapur, 400,000 banorë të dëshpëruar të qytetit i fshiheshin snajperistëve nga kodrat e qytetit, snajpera që shpesh i merrnin nën shënjestër në mënyrë të rastësishme, për argëtim, për baste të vogla.

Ky është njeriu që urdhëroi bombardimin e një tregu në Sarajevë, vendi i vetëm në qytetin e rrethuar ku mund të blihej ushqim ose të tregtoheshin mallra, duke vrarë dhe duke plagosur qindra vetë – vetëm për të mohuar se ushtria e tij e kishte bërë ndonjëherë një gjë të tillë.

Por mizoria e Karaxhiqit nuk përfundoi me fundin e luftës. Mizoria ishte tipari përcaktues i kësaj ideologjie. Qëllimi i tij ishte të dehumanizonte, të nënçmonte, të poshtëronte.

Kur gjatë gjyqit të tij në Hagë në vitin 2010 Karaxhiq u konfrontua me Almir Begiqin, një dëshmitar që dëshmoi se këmbët proteze të gjetura në vendin e masakrës së tregut të Markale në Sarajevë në vitin 1994 i përkisnin babait të tij Camilit, të vrarë në vend, Karaxhiqi ndjeu një kënaqësi të veçantë duke u përpjekur ta bindte atë – dhe gjykatën – se ai gabohej, se këmbët protezë që Begiqi njohu si të babait të tij ishin në fakt një sajesë, pjesë e komplotit boshnjak “për të sajuar” masakrën dhe për të fajësuar serbët e Bosnjës për atë. Thelbi ishte mizoria.

Trashëgimia e qëndrueshme e Radovan Karaxhiqit, megjithatë, është se mizoria që ai dhe aleatët e tij kryen në Bosnjë vazhdon të jetojë.

Republika Srpska, entiteti serb i Bosnjës që ai ndihmoi të krijohej dhe Marrëveshja e Dejtonit e institucionalizoi si një pseudo-shtet, është një kancer i vazhdueshëm në Bosnje, pengesa kryesore për përparimin e këtij vendi.

Udhëheqësi i saj Milorad Dodik është i angazhuar ta shkëpusë atë dhe e shikon të ardhmen e popullit të tij me Serbinë, jo me Bosnjën, serbët përsëri të bashkuar në një vend. Liderët e Republikës Srpska jo vetëm që kanë mohuar vazhdimisht se në Srebrenicë u krye gjenocid, por ata janë përpjekur aktivisht të ndryshojnë të dhënat historike dhe të krijojnë versionin e tyre të ngjarjeve, së fundmi duke lajmëruar krijimin e dy komisioneve të reja që do të rishikojnë historinë e gjenocidit të Srebrenicës dhe rrethimit të Sarajevës dhe mohojnë fajësinë e serbëve të Bosnjës për këto mizori.

Në Republikën Srpska, Radovan Karaxhiqi vazhdon të konsiderohet si një hero, me konvikte studentore që marrin emrin e tij. Në Serbi librat e tij po promovohen në Panairin e Librit të Beogradit dhe ku kryeministrja mohon që në Srebrenicë pati gjenocid.

Shpresa e fundit e Karaxhiq për liri u zhduk, por projekti i tij politik vazhdon ende.

 

Jelena Subotiq është profesoreshë e Shkencave Politike në Georgia State University në Atlanta. Ajo është autorja e “Drejtësi e rrëmbyer: Të përballesh me të kaluarën në Ballkan” dhe “Ylli i verdhë, Ylli i kuq: Përkujtimi i Holokaustit pas Komunizmit”.

Opinionet e shprehura në sektorin e Komenteve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.