FOTO ILUSTRIM PROKURIMI

Radoniqi: Auditimi i gjykatave themelore është jokushtetues

Në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike u shqyrtua raporti i auditimit për efikasitetin e menaxhimit të lëndëve civile në gjykatat themelore.

Në këtë Komision kishte dilema rreth auditimit të gjykatave në Kosovës, se a duhet lejuar apo jo Auditorin e Përgjithshëm të auditojë gjykatat themelore.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, tha se nuk po e sheh korrekte të raportojë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike menaxhimin e lëndëve.

“Kushtetuta ju ka jep autorizime Auditorit të Përgjithshëm. Kemi nenin 136 dhe 137. Thotë se Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar si dhe te kompetencat e Auditorit – kontrollon veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike e personave tjerë. Kjo është arsye pse ne thamë që a ka pasë të drejtë Auditori i Përgjithshëm me ba auditimin e menaxhimit tonë. Një çështje që edhe unë nuk po e shoh shumë korrekte është se ne jemi duke raportuar para Komisionit për mbikëqyrje për buxhet dhe financa, menaxhimin e lëndëve. Ne jemi tu e bë këtë“, tha ai.

Radoniqi tutje tha se po e bëjnë këtë sepse janë transparentë por auditimi i gjykatave themelore është jokushtetues.

“Ne jemi duke e bërë këtë për shkak se ne jemi transparent për punën tonë, nuk dojmë me fsheh asgjë për çka është puna jonë edhe e kemi leju edhe auditorët me ba këtë auditim. Por a ka qenë ligjore a ka qenë kushtetuese fillimisht, unë konsideroj që jo. Edhe shumë kolegë të mi, të gjithë kolegët e mi e konsiderojnë jokushtetues, ligjore nëse lidhen me ligjin siç e interpretojnë auditorët të auditorit të përgjithshëm , mund ta auditojë efikasitetin dhe funksionalitetin e institucionit, krejt në rregull, por nëse interpretohen në pajtueshmëri me nenin e Kushtetutës për çështje ekonomike, për veprimtari ekonomike atëherë ajo dispozitë duhet me u interpretu në bazë të nenit të Kushtetutës”, kryegjyqtari i Pejës.

Deputeti Zafir Berisha tha se puna e gjyqtarit ka kosto buxhetore.

“Është e vërtetë që Auditori i Përgjithshëm me ligj auditon çdo njësi buxhetore. Tek lëndët unë nuk e di por lëndët ndërlidhen me efikasitetin në punë, me punën e gjyqtarit e që ka kosto buxhetore. Nuk e di a u kanë deshtë me pasë dilemë a jo”, tha Berisha.

Përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit thanë se me Ligjin e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit, Auditori i Përgjithshëm ka mandat të kryejë auditime të detyrueshme të rregullsisë dhe auditime të perfomancës.

Në këtë takim u tha se Auditori ka pranuar letër nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas të cilës konfirmohet se auditimi i gjykatave themelore është është në pajtueshmëri të plotë me Ligjin e Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Kreu i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike pas diskutimeve me anëtarët e tjerë vendosi që t’i japë kohë Komisionit ta përpilojë një listë me rekomandime që për mbledhjen e radhës të votohet se a do të shkojë në Kuvend apo jo.