Qytetari kërkon që gratë në Kosovë të paguhen 10 për qind më shumë se burrat

Një burrë nga Prishtina ia ka mësyrë që të përmirësojë jetën e grave në Kosovë, duke i lënë prapa burrat.

Selman Krasniqi nga Prishtina po bën kërkesë që në Kosovë gratë të paguhen 10 për qind më shumë se kolegët e tyre burra, për punën e njëjtë.

Kërkesa për nismë ligjore është dërguar në Komisionin Parlamentar  për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës.

Ai thotë se është hera e dytë që po e dërgon këtë kërkesë dhe se pret nga deputetët që ta dërgojnë në parlament për votim, si dhe ta miratojnë.

Ai tregon se kryesisht është inspiruar nga traditat shqiptare të cilat sipas tij, grave ua mohojnë shumë të drejta.

“10 për qind paguhen më pak e kam fjalën për nivel të Kosovës, ndërsa në nivel evropian paguhen 16 për qind më pak, e në nivel botëror 18 për qind më pak. Raporti i fundit i OKB-së për punë e ka shkru që deri në 23 për qind femrat në botë paguhen më pak dhe ja ka vu epitetin vjedhja më e madhe në histori të njerëzimit.”, ka deklaruar ai.

Krasniqi tutje thotë se u bën thirrje deputetëve që ta kalojnë këtë ligj sepse në këtë mënyrë, Kosova do të bëhet shteti i vetëm në botë që do të paguajë gratë 10 për qind më shumë se burrat.

Ai tregoi se këtë kërkesë ua ka përcjellë disa deputetëve e veçmas deputeteve.

“Bëhemi shteti i vetëm në botë që paguhen femrat 10 për qind më shumë se sa meshkujt për punën e njëjtë që e kryejnë. Kanë premtuar se do ta hedhin në komision e do të më ftojnë, por ende s’më kanë ftuar. Në Komisioni për të Drejtat e Njeriut e cila kryesohet nga Duda Balje. Po pres tash ende s’kam marrë përgjigje konkrete për me marrë pjesë në komision.”, ka shtuar ky qytetar.

Kryesuesja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka thënë për KALLXO.com se e kanë pranuar këtë kërkesë dhe se tashmë ka mbetur që të vendosë grupi punues.

“Kemi pasur problem sepse ka implikime buxhetore më shumë dhe duhet me u konsultu me Qeverinë. Ne si Komision për të Drejtat e Njeriut në parim e kemi përkrahur por tash duhet me vendosë grupi punues edhe me e vendosë si pikë të rendit të ditës. Nuk kemi kohë për këtë javë por ndoshta javën e ardhshme do ta kemi në rend të ditës.”, ka deklaruar deputetja.

Sipas Ligjit për Paga në Sektorin Publik, shuma e pagës bazë merret në bazë të kompleksitetit të funksionit, pozitës apo gradës dhe nivelit të kualifikimit të kërkuar për atë funksion.

Në vitin 2018, të punësuar ishin 12.3 për qind e grave dhe 45.3 për qind e burrave në vendin tonë.

Aktualisht shkalla e papunësisë për gra është 33.4 për qind, ndërsa për burra 28.5 për qind.