Foto: TV21

Qytetari e godet me makinë, polici thyen dorën!

Një incident ka ndodhur sot në mesditë në rrugën “Rrustem Statovci” të kryeqytetit.

Ngjarja ka ndodhur pasi që Policia kishte bllokuar rrugën në kuadër të planit operativ për garantimin e sigurisë së pjesëmarrëseve në rivarrimin e kolonel Ahmet Krasniqit dhe Qazim Jakupit, në varrezat e dëshmorëve të Prishtinës.

Policia ka thënë në një deklaratë, se qytetari nuk kishte përfillur urdhrin e Policisë për të ndaluar me veturë në aksin rrugor të bllokuar për shkaqe sigurie, derisa ka goditur me veturë policin që e kishte ndaluar atë.

Major Shkëlzen Xhafa, tha se polici ka lënduar dorën e djathtë dhe është duke u trajtuar në emergjencë, derisa qytetari është arrestuar dhe dërguar në Stacion Policor për procedura të mëtejme.

“Rreth orës 13:50 Stacioni Policor “Qendra” në Bashkëpunim me drejtorinë Rajonale dhe Drejtorinë e përgjithshme ka vepruar në bazë të planit operativ për rivarrimin eshtrave të kolonel Ahmet Krasniqit. Derisa Policia ka qenë duke bërë edhe kontrollimin e  trafikut e kemi parë të arsyeshëm dhe të domosdoshme që ky aks rrugor të bllokohet. Një qytetar siç e shihni me automjetin e poshtëm këtu do të thotë nuk iu ka bind urdhrave të policit dhe ka vazhduar duke e goditur policin në anën e djathtë, polici për momentin është në emergjencë e ka dorën e thyer. Prokurori është kontaktuar dhe në bazë të procedurave penale është duke marrë me hetime të mëtutjeshme penale…Përderisa Policia ka dhënë urdhër të ndalojë i njëjti ka vazhduar  dhe nga goditja e tij pra dora e policit që është thyer është dëmtuar edhe xhami”, ka thënë Xhafa.

Majori nuk ka bërë publike identitetin e policit dhe personit të arrestuar të përfshirë në rast, për shkak se hetimi është në fazën fillestare.

Por familjarët e Atdhe Maxhunit, personit që u arrestua, kanë deklaruar se policia nuk po e tregon të vërtetën e rastit.

Sipas Premton Maxhunit, djalit të axhës së Atdheut, polici nuk ka lejuar kushëririn e tij që të parkohet dhe të vazhdojë në këmbë deri te puna e tij, në rrugën Isa Kastrati.

“Policia çka ka fol deri tash në intervistë ka rrejt se ai të Atdheut ka dashtë me u parku se e ka punën lartë. Polici nuk e ka leju me u ngjit me kerr, ai ka dashtë me u parku e me fol me Policin me i thanë që qe po shkojë në këmbë. Ai tu dashtë me hi në parking ky i ka mëshu boks, kjo është ngjarja si unë si dëshmitarët krejt e kemi. Pa janë edhe kamerat e lokaleve kemi me i këqyr krejt…erdhën e arrestuan për tentim vrasje, tash kamuflimi i Policisë për me u mbrojt…”, ka thënë Maxhuni i cili paralajmëroi që do të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet e veturës dhe akuzën e rrejshme.

Rruga “Rrustem Statovci është bllokuar sot për shkak të garantimit të sigurisë për pjesëmarrësit në rivarrimin e eshtrave të Ahmet Kransiqit dhe Qazim Jakupit.

Për këtë rast, më herët ka raportuar edhe KALLXO.com.

https://kallxo.com/zyrtari-policor-ne-prishtine-goditet-me-veture-nga-qytetari/