Qytetari: AAK-ja më Thirri në Telefon për Protestë

Shala tha se thirrja i erdhi nga Forumi Rinor i AAK-së në këtë komunë.

Ai tregoi se telefonuesit i ofruan transport drejt Prishtinës dhe ushqim në këmbim të shkuarjes në protestën e AAK-së dhe Nismës.

“Me datën 13 kam marrë një telefonatë prej aleancave të të rinjve të Komunës së Suharekës që më kanë bë thirrje a vjen për protestë për nesër me datën 14, ta kena rezervua edhe autobusin edhe ushqimin,” shpjegoi Besfort Shala.

Ai tha se u kërkoi shpjegime telefonuesve se ku e kishin marrë numrin e tij.

“Unë i kam pyetur ku e keni marrë numrin tem, ata thjesht m’u kanë përgjigj që e kemi një listë që tre vjet, kurse numri jem është që një vit i vjetër  edhe kurrë s’e kam shënuar numrin nëpër lista,” tregon Shala.

Ai vetëm sivjet ka mbushur 18 vjet dhe e ka fituar të drejtën e votës. Thotë se telefonata e shqetësoi shumë.

“Unë jam ndier shumë i shqetësuar dhe s’kam pasë ku mu drejtua veç në KALLXO.com,” tha Shala.

KALLXO.com kontaktoi Bali Muharremajn, kryetarin e  degës së AAK-së në Suharekë për ta pyetur rreth ankesave për telefonatë të Besfort Shalës.

Muharremaj mohoi thirrjet telefonike drejtuar qytetarëve

“Nuk ka të keqe nëse është thirrur dikush për protestë, por ju garantoj se prej AAK-së nuk është thirrur askush ditën e protestës, por mobilizimet janë bërë më herët dhe prej Suharekës ka qenë numri më i madh prej qytetarëve që kanë marrë pjesë në protestë ndonjëherë,” tha Muharremaj.

Privatësia, apo e drejta për privatësi mbrohet me Kushtetutën e Kosovës.

“Çdokush gëzon të drejtën që t’i respektohet jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera,” thuhet në nenin 36 të kushtetutës.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për protestën e dy subjekteve opozitare të shtunën.

http://kallxo.com/oret-e-protestes-se-aak-se-dhe-nisma-s/