GAP - Arkiv
Qytetarët të Painformuar për Përgjegjësitë e Komunave dhe Qeverisë Qendrore
Në një hulumtim që e ka bërë Instituti GAP rreth njohurive të qytetarëve me kompetencat e komunave, të realizuar në prag të zgjedhjeve lokale, mbi 50 përqind e të anketuarve nuk kanë njohuri që paisja me dokumente personale, pasaportë e letërnjoftim është kompetencë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
“Rreth 52 përqind e të anketuarve deklaruan se kjo është kompetencë e nivelit lokal, përkatësisht komunës. Rreth 34 përqind e të anketuarve ishin të mendimit se këto dokumente lëshohen nga Ministria e Punësve të Brendshme. Gjthashtu, 13 përqind e të anketuarve deklaruan se këtë përgjegjësi e ka Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, thuhet në hulumtimin e Institutit Gap.
Fusha e arsimit, përkatësisht përzgjedhja e stafit mësimdhënës në arsimin parafillor, fillor dhe të mesëm është një fushë tjetër për të cilën duket se qytetarët nuk kanë shumë njohuri se në kompetencë të kujt është.
“Rreth 49 përqind e të anketuarve besojnë se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) është përgjegjëse për përzgjedhjen e mësimdhënësve, ndërsa rreth 33 përqind e tyre deklaruan se këtë përgjegjësi e ka komuna. Gjithashtu, disa prej të anketuarve, 9 përqind thanë se përzgjedhja e mësimdhënësve është përgjegjësi e vetë shkollave, ndërsa një përqindje e vogël e të anketuarve, 4 përqind deklaruan se këtë kompetencë e ka Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në këtë hulumtim.
Menaxhimi i mbeturinave dhe e furnizimi me ujë, sipas këtij hulumtimi janë fushat për të cilat qytetarët kanë më së shumti njohuri se në kompetencë të kujt janë.
“Mbi 85 përqind e qytetarëve e dinë se menaxhimi i mbeturinave është kompetencë e komunës dhe kompanisë rajonale për menaxhim të mbeturinave. Afër 80 përqind e qytetarëve janë në dijeni se furnizimi me ujë është kompetencë e kompanisë rajonale për furnizim me ujë, kurse vetëm 13 përqind mendojnë se kjo është kompetencë vetëm e komunës” nënvizohet në hulumtim.
Nora Latifi – Jashari, drejtoreshë ekzekutive në Institutin GAP tha se pasi ky është vit zgjedhor ky Institut në bashkëpunim me institucionet qëndrore, në bazë të rezultateve të këtij hulumtimi do të ndërmarrë një kampanjë për të informuar qytetarët për kompetencat e komunave.
Ky hulumtim është realizuar me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP), i financuar nga Zyra Zviceriane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashjtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).