Qytetarët po Ndihmojnë ATK-në

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) po ndihmohet nga qytetarët të cilët po raportojnë për shmangiet tatimore të bizneseve deri te keqpërdorimi i detyrave zyrtare nga punëtorët e këtij institucioni.

Përmes njoftimit, ATK-ja bën të ditur se për nëntë muajt e këtij viti  janë raportuar 598 raste nga qytetarët dhe janë gjobitur 298 biznese.

“Qytetarët në vazhdimësi janë duke bashkëpunuar me ATK-në në mënyrë që të kapen rastet të cilat krijojnë shmangie tatimore, korrupsion dhe keqpërdorim të detyrave zyrtare nga ana e punëtorëve të ATK-së.  Vetëm gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, përmes linjës online dhe kutisë së vërejtjeve janë raportuar 598 informacione për parregullsi tatimore, ku për të cilat janë gjobitur 298 biznese,” thuhet në njoftimin e ATK-së.

Administrata Tatimore konstaton se ky bashkëpunim ka dhënë efektet në rritjen e të hyrave, rritjen e numrit të bizneseve të fiskalizuara dhe në monitorim më efikas të veprimtarisë së lojërave të fatit.

Perceptimi i korrupsionit në Administratën Tatimore të Kosovës, sipas njoftimit të këtij institucioni, ka rënë në 7 për qind.

“Se ATK-ja është në rrugë të mirë drejt një administrate moderne, e cila në vizion ka luftimin e evazionit fiskal dhe krijimin e një strukture të mirë tatimore, padyshim janë edhe vlerësimet e organizatave ndërkombëtare, ku së fundi UNDP-ja ka publikuar raportin i cili ka të bëjë me shkallën e korrupsionit në institucione, në të cilin përfshihet  edhe Administrata Tatimore e Kosovës, ku perceptimi i prezantuar është në shkallen 18,2 % ose rreth 7 % më pak,” thuhet në njoftim.

Në nëntëmujorin e këtij viti, ATK-ja ka shqiptuar gjoba mbi 360 mijë euro te subjektet të cilat kanë vepruar në kundërshtim me ligjin për veprimtarinë e lojërave të fatit.

http://kallxo.com/mbi-360-mije-euro-gjoba-per-lojera-te-fatit/

Deri në muajin gusht të këtij viti, Administrata Tatimore e Kosovës ka realizuar 31 milionë euro më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/atk-ja-mbledh-31-milione-euro-shume/