Qytetarët Ikin nga Kosova, të Dëshpëruar nga Gjendja Ekonomike

Tre autobusë janë mbushur përplot të mërkurën vonë me qytetarë të Kosovës dhe janë nisur në drejtim të Beogradit.

Të dëshpëruar me gjendjen ekonomike në vend, këta qytetarë ia kanë mësyrë kryeqytetit serb për të vazhduar më tej drejt Hungarisë, me shpresën se do të arrijnë në ndonjërin prej vendeve të BE-së ilegalisht.

Nexhat Blakqori nga Prishtina është një prej tyre.

Ai bashkë me familjarët e tij është nisur drejt Serbisë për të kaluar më pas në shtetet perëndimore në kërkim të një jete më të mirë.

Përgjegjës për gjendjen në Kosovë ai e bën presidentin Hashim Thaçin. Sipas tij ai ka mundësi t’i ndalojë këto gjëra. “Sikur të kishim një pagë mesatare 250 deri 400 euro nuk kishim ikë”, tha Blakqori.

“Sot kemi ardhë me ia msy Hungarisë e Gjermanisë, kah të mujna, sepse nuk ka zgjidhje këtu. Po kërkojmë punë, s’ka jetë këtu”, tha një qytetar tjetër.

“Këtu me këta hajna s’ka sen, këtu veç nëse don me vdek për së gjalli”, shtoi qytetari.

Ndërsa, Hasim Zeneli, punëtor në Stacionin e Autobusëve, tha se ata lëshojnë bileta të udhëtimit për tre autobusë që nisen në ora 22:00, 22:30 dhe 23:00.

“Nëse shtohen autobusët do të jemi të dëtyruar të lëshojmë bileta nëse e kërkojnë kompanitë”, tha ai.

Ndryshe, ditëve të fundit është parë një ngritje e numrit të qytetarëve që po ia msyjnë vendeve perëndimore përmes Serbisë.

Policia e Kosovës ka demantuar dje informacionet e mediave se ka eksod të ri të qytetarëve pas atij në fund të vitit 2014 dhe në fillim të vitit 2015.

http://kallxo.com/policia-nuk-ka-eksod-te-qytetareve/