Qytetarët e Fushë Kosovës në hall me uzurpimin e trotuareve nga lokalet afariste

Banorët e Fushë Kosovës nuk po mund të lëvizin lirshëm nëpër hapësira publike për shkak të uzurpimit të tyre nga ana e lokaleve afariste.

Disa qytetarë kanë raportuar në KALLXO.com se trotuaret janë zënë me zgjerim të tarracave, tavolinave dhe karrigeve, vazove me lule, shtyllave metalike dhe materiale të ndryshme ndërtimore.

Me këto telashe, ata thonë se janë ballafaquar kryesisht në rrugën “Dardania” të Fushë Kosovës, por edhe në lagje të tjera të qytetit.

Në anën tjetër, Komuna e Fushë Kosovës thotë që u ka kërkuar uzurpuesve ti lirojnë hapësirat publike.

“Javën e kaluar gjithë uzurpuesve u janë dërguar njoftimet për largimin e hapësirave publike. Nga kjo javë jemi në përgatitje përfundimtare për dërgimin e vendimeve për rrënimin dhe eliminimin e te gjithë atyre që kanë uzurpuar hapësirat publike”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com, të zëdhënësit të komunës, Ali Topalli.

Topalli ndër të tjerash ka bërë të ditur se e kanë formuar edhe një Komision komunal për këtë çështje.

“Është formuar një komision komunal nga dy drejtoritë ajo e Inspekcionit dhe e Shërbimeve Publike, të cilët do të dalin në  terren për të përcjellë zbatimin e këtyre vendimeve”, thuhet në përgjigjen e tij.

Mirëpo, Komuna e Fushë Kosovës edhe më herët ka formuar komision për lirimin e hapësirave publike.

KALLXO.com ka siguruar një vendim të cilin e ka nënshkruar kryetari i komunës, Burim Berisha me 18 prill të vitit 2017, përmes së cilit është formuar një “Komision Komunal për lirimin e hapësirave publike në territorin e Komunës së Fushë Kosovës nga uzurpimet dhe vendosja e parregullt e objekteve dhe gjësendeve nga subjektet afariste në kundërshtim me rregullat e dispozitave në fuqi”.

KALLXO.com ka ri-dërguar pyetje në këtë komunë se në cilën periudhë kohore është formuar komisioni aktual, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.