Raporti i KDI-së | Foto: KALLXO.com
Qytetarët Duan Çështje Tjera në Dialogun e Brukselit
Në sondazhin e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës qytetarët kanë kërkuar që çështja e të pagjeturve, dëmet e luftës dhe njohja e Kosovës nga Serbia të diskutohen në dialogun e Brukselit.
Sipas Jeta Krasniqit nga Instituti Demokratik i Kosovës, menaxheres së projektit për dialog nga sondazhi ka dalë që 84 për qind e të anketuarve kanë kërkuar që në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja të diskutohet çështja e të pagjeturve.
74 për qind e pjesëmarrësve të anketës dëshirojnë që krimet e luftës të trajtohen në këtë dialog, ndërsa pastaj renditen kërkesat për shqyrtim të pagesës së dëmeve të luftës dhe çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia.
Raporti i KDI-së për dialogun Kosovë-Serbi i titulluar “Dialogu dhe Marrëveshjet në Sytë e Qytetarëve” u hartua në bazë të përgjigjeve të të anketuarve rreth marrëveshjeve për telekomunikacionin dhe asociacionin, ndërsa në të u përfshinë edhe serbët e veriut të vendit.
Menaxherja Jeta Krasniqi u pyet nga gazetarët se sa kishte qasje KDI-ja në veri.
“Ata nuk është se e shohin as Serbinë e as Kosovën si garantues të sigurisë së tyre, por kemi pa gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar me shoqërinë civile,” tha Krasniqi.
36 për qind e të anketuarve konstatuan se Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë kompetenca ekzekutive, 32 për qind të tyre u deklaruan se nuk dinë çfarë kompetencash do të ketë ai, ndërsa 19 për qind thanë se ky asociacion do të ketë kompetenca të njëjta si ai i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Për marrëveshjen e telekomunikacionit që u arrit në vitin 2013, ndërsa u finalizua vetëm 3 vjet më pas, nga anketa doli se vetëm gjysma e pjesëmarrësve të saj janë të informuar, e më së paku informata për këtë marrëveshje anketa konstatoi kanë qytetarët serbë.
32 për qind e të anketuarve thanë se nuk e dinë kush do të përfitojë nga marrëveshja e telekomunikacionit, 20 për qind deklaruan se Kosova do të përfitojë prej saj, ndërsa në përqindje më të ulët u renditën përfitimet e të dyja shteteve nga kjo marrëveshje dhe përfitimet e Serbisë prej saj.
Jeta Krasniqi nga KDI-ja tha se qytetarët u pyetën edhe se kush duhet të udhëheqë dialogun.
53 për qind e të anketuarve thanë se dialogu duhet të udhëhiqet nga koalicioni i gjerë i partive politike, 25 për qind nga qeveria, e vetëm 0.9 për qind nga Presidenca.
Pasi prezantoi raportin se si qytetarët e shohin dialogun, Jeta Krasniqi, menaxherja në KDI tha se vazhdimi i dialogut të Brukselit më 24 janar është i pritshëm dhe me vend.
KDI-ja dha edhe rekomandime. U sugjeroi institucioneve bërjen publike të të gjitha marrëveshjeve të dialogut dhe njoftimin e qytetarëve për efektet që ato kanë në jetën e tyre.
Kjo organizatë gjithashtu rekomandoi që të ketë sa më shumë debate për dialogun, që ai të zhvillohet me format të gjerë politik të të gjitha partive dhe që gjatë zhvillimit të tij të merren parasysh dhe të shtrohen si çështje diskutimi ato që propozojnë qytetarët.
Sondazhi i KDI-së u zhvillua nga 10 deri më 19 dhjetor 2016 në gjithë Kosovën dhe me pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet.
Edhe BIRN, Internews Kosova dhe “CRTA” nga Serbia vazhdimisht monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve nëpërmjet projektit “Big Deal”.