Qytetarët boshnjakë tallen me diskutimin e Qeverisë për eksplorimin e universit

Bosnja dhe Hercegovina ende nuk mund të kontrollojë qiellin e vet, por kjo nuk e ka penguar Qeverinë e saj që të mërkurën të diskutojë për eksplorimin e universit, duke përfshirë Hënën dhe trupat e tjerë qiellorë.

Agjenda e seancës së sotme të Qeverisë përfshiu një draft për pranimin e Bosnjës në Traktatin mbi parimet që qeverisin aktivitetet e shteteve në eksplorimin dhe përdorimin e hapësirës së jashtme, duke përfshirë edhe Hënën dhe trupat e tjerë qiellorë, të njohur si “Traktati i Hapësirës së Jashtme”.

Kjo temë në agjendën e një shteti që OKB-ja pret të humbasë gjysmën e popullsisë së saj në 80 vitet e ardhshme ka shkaktuar tallje të parashikueshme në rrjetet sociale.

“Bosnja hyn në garën hapësinore…”, “Ne së pari duhet të dërgojmë një byrek…” dhe “Houston, kemi një problem …”, ishin vetëm disa nga komentet.

“Pyetja e vërtetë është se kush do të jetë astronauti i parë që do ta “nxjerrë atë” në Hënë. Tre presidentët do të ishte zgjedhja më e mirë”, shkruante “Astronauti”.

“Pajtohem, duhet të dërgojmë politikanët tanë… por me një biletë një drejtimëshe”, tha Zhelko.

Ndërsa, “Neil Armstrong” shtoi: “Nëse e bëjmë këtë, brenda një jave lufta do të shpërthejë në Hënë”.

Traktati do të lejonte Bosnjën të dërgonte një njeri në hapësirë, ndërkohë që gjithashtu ndalon qartë ndërtimin e bazave ushtarake në orbitën e Tokës.

Propozuesi zyrtar i draftit për Traktatin e Hapësirës së Jashtme është Ministria e Transportit dhe Komunikimit.

“Ata nuk mund t’i zgjidhin gjërat në Tokë, por ata merren me hapësirë”, tha Muhamed Muminoviq, kryetari i Shoqërisë Astronomike të Orionit nga Sarajeva, duke shtuar se ndoshta është çështje e obligimeve të Bosnjës si anëtare e OKB-së.

Traktati thotë se universi, Hëna dhe trupat e tjerë qiellorë duhet të shfrytëzohen në interes të të gjitha vendeve, pavarësisht nga zhvillimi i tyre ekonomik dhe shkencor.

Ai gjithashtu përcakton se universi, Hëna dhe trupat e tjerë qiellorë nuk mund të përvetësohen duke zgjeruar sovranitetin e shteteve, shfrytëzimin, okupimin ose çfarëdo mjeti tjetër.

“Duket e logjikshme të fillojmë të eksplorojmë universin kur asgjë nuk po shkon siç duhet në pjesën e planetit të cilën e kemi zënë me budallallëqet tona”, shkruante “Bosanka”.

Sipas Agjencisë së Bosnjës për Sigurimin e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, BHANSA, vendi duhet më në fund të marrë kontrollin e plotë mbi qiellin e vet në fund të vitit të ardhshëm.