Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Qymyri “Nxin” dhe Nxit Përplasjen Buzhala-Abazi

Berat Buzhala e Haki Abazi janë përfshirë në një polemikë të ashpër në Facebook në lidhje me projektin për hulumtim qymyri të kompanisë “Envidity”.

Polemika që rrëshqiti në akuza e kundërakuza personale, nisi pas transmentimit të enjten të Emisionit “Jeta në Kosovë”, i cili iu kushtua investimit të paralajmëruar të kompanisë kanadeze “Envidity”, bordi i së cilës drejtohet nga gjenerali Wesley Clark, njeriu që udhëhoqi sulmet ajrore të NATO-s ndaj regjimit të Millosheviqit në vitin 1999 në ish-Federatën Serbi-Mali i Zi.

Buzhala në postimin e tij në Facebook, akuzoi Abazin se organizata ku ai punon është përgjegjëse për të gjitha shkrimet që po botohen në Kosovë kundër investimeve të mundshme të ish-gjeneralit.

“Shkrimet kundër Wesley Clark’ut dhe kompanisë së tij, për mundësinë me investu në Kosovë, janë të porosituna prej Haki Abazit dhe kushdo që fshihet pas tij. I njëjti po rrotullon gurë e rrasa për me e parandalu edhe projektin e ndërtimit të Termocentralit ‘Kosova e Re’. As këtu nuk e di arsyen, edhe pse i kam dyshimet e mia të mëdha,” shkroi drejtuesi i gazetës online “Express”.

Abazi është drejtor për Ballkanin Perëndimor të Fondacionit “Rockfeller Brothers”.

Berat Buzhalla akuzoi organizatën ku punon Abazi me fjalët se ajo pasurinë e ka krijuar nga eksploatimi i naftës, ndërsa tash po synon energjinë e ripërtërishme.

“’Rockefeller Brothers’ pasurinë e tyre multimiliardëshe e kanë realizuar përmes naftës, edhe permes formave më të egra të eksploatimit të resurseve natyrore. Pasi që kanë ‘vendosur’ me kalu në energji të ripërtritërishme, duke pasur në xhirollogaritë e tyre pasuri të pafundme, po mbajnë ligjerata për ruajtjen e ambientit që ata vetë e kanë shkatërruar,” vijoi postimi i Buzhalës.

Po në Facebook Buzhalës iu kundërpërgjigj Haki Abazi.

“Pa merak- ndjehem mirë kur njerëzit e lig e të paditur flasin keq për mua dhe punën time. Unë jam në perkrahje të strategjisë së Presidentit Obama për zhvillim të gjelbërt dhe sektor energjetik evropian në Ballkan, e jo për nxirjen e ujit, ajrit dhe tokës së vendit,” shkroi Abazi.

Abazi më tutje Buzhalën e quajti kameleon.

“Aftësitë e tij për të qenë importues i gurit vullkanik nga territoret që kontrollohen nga organizata ilegale dhe kriminale që e mbajnë Mitrovicën të ndarë që 16 vite, njohuritë e tij për të qenë kameleon i ndyrë i transformimit prej gazetarit në sekser biznesi dhe quazi pseudo- politikan që karrieren e vet e vë në shërbim të ‘bunargjive’ sa herë që ju duhet atyre,” vazhdoi kundërreagimi i Abazit.

Abazi pastaj tha se nuk dëshiron të hyjë me debat për dëmet që vijnë nga shfrytëzimi i qymyrit me një person që sipas tij nuk e njeh këtë çështje.

“Ka studime te avancuara të institucioneve me renome ndërkombëtare siç është UC Berkeley, Harvard University dhe gamë e pafund e ekspertëve perfshirë edhe qëndrimin zyrtar të Presdidentit Obama dhe të më shumë se 180 liderëve botërore që në Paris kanë nënshkruar marrëveshjen për përmbylljen e fazës së përdorimit të qymyrit( linjitit) në botë dhe të fokusohen në efiçiencen e energjisë, në burimet e ripërtërishme, në lidhjet ndërajonale të sistemeve trasnetuese energjetike,” shkroi më tej Abazi.

Në anën tjetër në postimin e tij, Berat Buzhala mirëpriti investimin e mundshëm të kompanisë “Envidity”.

“Me një fjalë: Unë do ta isha jashtëzakonisht i kënaqur që Clark dhe firma e tij të arrinin të merrnin punë në vendin tonë. Ne do t’i kemi dy zgjidhje: ose eksploatimin e thëngjillit dhe rritjen e numrit të punëtorëve, ose ta dëgjojme Haki Abazin dhe të flejmë krenarë mbi pasurinë tonë nëntokësore,” shkroi Buzhala.

Ai  shumë gazetarë të Kosovës, mes tyre edhe ata të BIRN-it i quajti të kontrolluar nga “Rockfeller Brothers”.

“Gjithashtu e di që Rockefeller Brothers Fund, ku punon Abazi, i ka nën kontroll një numër të madh të mediave (më e rëndësishmja Jeta Xharra dhe BIRN, por edhe të tjerë), edhe në vendin tonë, si dhe një numër të konsiderueshëm të gazetarëve, gjithashtu në vendin tonë, permes shumë mënyrave, të cilat pastaj i përdorin për t’i goditur ato projekte publike që nuk janë në përputhje me interesat e Rockefeller,” shkroi Buzhala.

Përplasja Buzhala-Abazi ndodhi pasi të enjten emisioni “Jeta në Kosovë” zhvilloi një debat për kërkesën e kompanisë “Envidity” për hulumtimin e rezervave të qymyrit në vendin tonë.

Jeta në Kosovë: Thëngjilli-Zhvatje a Zhvillim?

Gazeta Jeta në Kosovë në shtator publikoi një hulumtim që tregoi se kjo kompani, bordi i së cilës drejtohet nga Wesley Clark, synon prodhimin e naftës sintetike nga gazifikimi nëntokësor i qymyrit.

Kompania e Wesley Clark Kërkon Monopolin në Qymyrin e Kosovës

Vendimi i qeverisë për kërkesën rreth qymyrit të kompanisë “Envidity” po në shtator kaloi në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.

http://kallxo.com/licenca-e-kompanise-se-clark-ut-shkon-ne-kuvend/

KALLXO.com botoi sot një intervistë të kreut të radikalëve serbë Vojisllav Sheshel, i cili në vitin 1991 fliste se si të shfrytëzohet për zhvillim të Serbisë qymyri i Kosovës.

http://kallxo.com/cfare-thoshte-shesheli-per-qymyrin-e-kosoves/