Manastiri i Deçanit, foto/REL

QUINT-i përsërit thirrjen për Qeverinë që të zbatojë me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit

Me rastin e 7 vjetorit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë ka ndarë një deklaratë të shteteve të QUINT-it.

Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kanë përsëritur thirrjen për Qeverinë e Kosovës që të zbatojë plotësisht dhe me urgjencë regjistrimin e ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi juridik dhe kërkesave pasuese, vendimi i Gjykatës nuk është zbatuar ende shtatë vjet më vonë.

“Ne jemi të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës. Sundimi i ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, duke përfshirë përparimin e mëtejmë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, njofotn Ambasada e ShBA-së në Kosovë./ Dukagjini