QMF në Klinë qe Dy Muaj pa Rëntgen

Qendra e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë ka dy muaj që nuk ofron shërbimet e fotografimit rëntgen.

Kjo për shkak të një defekti në pjesën për zhvillimin e filmave të aparaturës.

Ndërsa qytetarët ankohen për këtë mosofrim të shërbimeve.

Ata po detyrohen që fotografimet rëntgen t’i bëjnë në spitalet rajonale apo edhe në ordinanca private.

Një prej tyre është, Adnan Bekaj, i cili thotë se qytetarët po detyrohen të shkojnë në ordinanca private, ose në Istog në Qendrën e Mjekësisë Familjare ose në Pejë.

Ndërsa, Xhemajl Selmani ankohet se për një fotografim rëntgen po detyrohet të shkojë në Prishtinë, sepse as në Pejë nuk ka.

“Populli po heqin, po vuajnë, ne duhet të shkojmë në Prishtinë për një fotografim, sepse as në Pejë nuk ka sa duhet”, u shpreh Selmani

Ndërsa, Ali Syla thotë se po i kushton shtrenjtë udhëtimi në Pejë për një fotografim. “Ma dha mjeku udhëzimin, por me tha se nuk mund ta bëja fotografimin me arsyetimin se rëntgeni është prishur dhe se nuk e dinë ditën kur rregullohet. Më është dashur të shkoj në Pejë për ta bërë  fotografimin”, tha ai.

Palush Prenaj, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës së Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” tha se problemi është te një defekt në zhvillimin e filmave të kësaj aparature.

Sipas Prenajt, Qendra është në pritje të një eksperti nga Nishi, i cili e ka kontrolluar aparatin e rëntgenit dhe ai duhet ta sjellë pjesën që ka defekt.

“Problemin e kemi në një pajisje që bën eksponimin e filmave, dhe është bere një defekt në të. Ka qenë një ekspert nga Nishi, qe e ka bërë kontrollin e saj, dhe ka mbetur që ai (eksperti) ta na bie pjesën e servisit për ta rregulluar, për arsye se nuk mundet me riparuar brenda këtyre ditëve”, tha Prenaj.

Prenaj tregon se premtimin se kjo pajisje do të rregullohet e ka marrë qe një muaj, mirëpo asgjë nuk është bërë në ketë drejtim.

“Po tashti me treguar të vërtetën në bazë te premtimeve që na ka dhënë eksperti pres këtë javë me përfunduar. Po këtë premtime i kemi përmbi një muaj që na thonë sot, nesër. Mendoj që premtimet nuk janë shume inkurajuese”, tha Prenaj

I kontaktuar ditë më parë nga KALLXO.com, Bedri Gashi, drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë në Klinë, ka thënë përmes telefonit se është i informuar për problemin e aparaturës së rëntgenit.

Ai ka thënë se problemi do të zgjidhet deri më 15 maj, por tash kur ka kaluar një javë nga kjo datë, aparatura ende nuk është funksionale.

Problem të ngjashëm lidhur me shërbimet rëntgen kishte edhe QMF-ja e Istogut, për të cilën KALLXO.com raportoi në muajin mars të këtij viti.

http://kallxo.com/mungese-filmash-per-rentgen-ne-istog/