Ilustrim

QKUK sqaron planet për t`i ushqyer pacientët me produkte serbe

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se kërkesën për t`u furnizuar me artikuj ushqimorë në tenderin e hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit e ka bërë për pacientët e shtrirë në klinika.

“Këto produkte QKUK-ja i ka kërkuar sepse përgatitë ushqimin për pacientët e shtrirë në klinikat e QKUK”, thuhet në përgjigjet e QKUK-së për KALLXO.

Shpend Fazliu nga zyra për informim në QKUK tha se procedurat e prokurimit i ka udhëhequr Autoriteti Qendror i Prokurimit dhe QKUK si institucion nuk ka autoritet të ndikojë.

“QKUK, në fund të vitit të kaluar ka pranuar një email nga AQP, ku ishte edhe tabela – lista e produkteve ushqimore të ndara sipas loteve dhe ku kërkohej nga ne që vetëm të plotësojmë sasinë e produkteve që ka nevojë sektori i ushqimit në QKUK. Pra, të gjitha produktet kanë qenë të shkruara në ato tabela, dhe puna jonë ka qenë vetëm të specifikojmë se cilat produkte na nevojiten dhe sasitë e tyre”, thuhet në përgjigje.

KALLXO, ka raportuar për kërkesat e institucioneve për t`u furnizuar me artikuj ushqimor në tenderin e hapur nga AQP-ja.

Ndër institucionet që kanë bërë kërkesë është edhe QKUK-ja.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës,  ka porositur 96 mijë copa “Eurokrem” ose ekuivalent nga 50 gram të paketuar në foli.

Këtë porosi QKUK-ja e ka bërë në tenderin për Furnizim me artikuj ushqimor me numër të prokurimit UA/2016-18-9466-1-1-1 të hapur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Përveç “Eurokrem”, QKUK-ja ka porositur edhe artikuj tjerë ushqimor me firmë të specifikuar dhe me sasi të madhe.

Pashtet pule “Argeta” ose ekuivalent 5 mijë copa nga 95 gram, peshk i konservuar “Sardina” ose ekuivalent 16 mijë copa me peshë 125 gram, peshk i konservuar “Tuna” 10 mijë copë me peshë 185 gram, djathë “ekuivalent” me feta i konservuar, paketimi 4 kg plastik ose ne konaqe 7 mijë e 500 kg, djathë copëza “ekuivalent” me Zdenka të paketuara në kuti 140 gramësh nga 8/1 copë dhe me përbërje të caktuar yndyre 11 mijë kuti, fide “Divella” ose ekuivalente 800 kg, keks “Petit Beure” ose ekuivalent 6 mijë e 600 kg, makarona “Divella” ose ekuivalente 3 mijë e 600 kg, “Pop Kek” ose ekuivalente 0.45 gram 95 mijë copa, shpagetë “Divella” ose ekuivalente 2 mijë e 400 kg, “Vegetë” ose ekuivalent 1 mijë e 400 kg.

 

 

KALLXO.com ka raportuar gjatë kësaj jave se disa institucione siç janë komuna e ministri, që kanë porositur produkte të prodhuara në Serbi në formularin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit.

Arsyetimi i institucioneve që kanë kthyer përgjigje ishte se formulari iu ka shkuar i gatshëm ndërsa institucioni vetëm kishte shënuar sasinë që i nevojitet.

KALLXO.com ka shkruar për tenderin 23.5 milion të shpallur nga AQP-ja, për t’i furnizuar disa institucione të Kosovës me artikuj ushqimor.

Në tenderin, që është i ndarë në 9 llote dhe që pritet të kushtojë rreth 23.5 milionë euro, tek specifikat teknike ishin artikujt: “EuroKrem”, “Plazma”, “Vegetë”, “Pop-Kek”, apo pashtetën e pulës “Argeta” por që pas tyre shkruhet edhe ekuivalentë.

KALLXO.com, ka shkruar se kjo Agjenci pas reagimit publik është angazhuar për t’i larguar nga lista vetëm prodhimet serbe, siç janë: “Smoki”, “Plazma” dhe “Eurokrem”.

 

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me tenderin skandaloz të AQP-së mund t`i lexoni duke klikuar në LINK