QKUK - Foto: Atdhe Mulla

QKUK për një muaj 200 keqpërdorime të kartelave për hyrje-dalje

Gjatë muajit korrik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë identifikuar rreth 200 raste të keqpërdorimit të kartelave të hyrje-daljeve.

QKUK pati njoftuar se përmes kamerave identifikuese tek aparatet për vendosjen e kartelave identifikuese, është vërtetuar se këta punëtorë kanë keqpërdoruar kartelat.

“Një i punësuar ka përdorur më shumë se një kartelë verifikuese për hyrje-dalje në punë. Menaxhmenti i SHSKUK-së për këtë ka njoftuar drejtorët e klinikave, kryeinfermierët dhe menaxherët e tjerë dhe ndaj atyre që kanë keqpërdorur kartelat do të ndërmerren masa disiplinore konform Ligjit të Punës”, pati deklaruar QKUK.

Një muaj pas kryesuesi i komisionit për kontroll të brendshëm, Fakir Spahiu tha për KALLXO.com se situata ka filluar të ndryshojë pasi që janë shqiptuar dënime për punëtorët keqpërdorues.

Sipas tij numri i keqpërdorimeve ka rënë shumë shpejtë dhe tani gjendja është më e mirë, por monitorimi po vazhdon.

“Menaxhmenti i ri në krye me Drejtorin e Përgjithshëm – Dr. Basri Sejdiu, hapat për vënien e rregullave ka filluar që nga dhjetori i 2017 dhe hapat e parë kanë qenë pajisja e gjithë stafit i cili punon në QKUK me kartelat personale të cilat punëtorët i përdorin për hyrje dhe dalje nga puna si dhe fillimi i përdorimit të tyre. Pastaj formimin e komisionit për kontroll të brendshëm i cili ka për detyrë monitorimin e kartelave përmes sektorit të IT i cili ka dhënë një kontribut të veçantë për implementimin e projektit të kartelave personale. Monitorimi i vazhdueshëm dhe marrja e masave vetëm ka filluar tani me vërejtje me gojë, me shkrim dhe deri në suspendim të personelit i cili nuk ka qenë në vendin e punës kur është bërë kontroll.

Gjatë inspektimit që ishte bërë nga drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Basri Sejdiut  pati rezultuar të ketë mungesa në punë ku për pasojë 3 mjekë janë suspenduar nga puna, 3 të tjerë janë dërguar në komision disiplinor, përfshirë edhe 2 infermierë.

Spahiu tha se marrja e masave vetëm ka filluar tani me vërejtje me gojë, me shkrim dhe deri në suspendim të personelit i cili nuk ka qenë në vendin e punës kur është bërë kontroll.

Besim Kodra nga Shoqata për të drejtat e pacientëve tha për KALLXO.com se 38 përqind e ankesave të pacientëve ka qenë për mungesën e stafit mjekësorë në vendin e punës.

“Përgjegjësia dhe llogaridhënia e stafit mjekësor është kyçe për rregullimin e sistemit shëndetësor. Menaxhmenti është përgjegjës për respektimin e kontratave të punës së punëtorëve, por pos të drejtave dhe privilegjeve  menaxhmenti ka edhe përgjegjësi për respektimin e kontratave të punëtorëve në raport me obligimet ndaj vendit të punës dhe pacientëve”, tha Kodra

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për ankesat e pacientëve përfshirë edhe për atë të mungesës së mjekëve në vendin e punës.

https://kallxo.com/mal-me-ankesa-nga-pacientet-ministri-premton-komunikim-me-te-mire/