Ilustrim

QKUK demanton Institutin e Shëndetësisë Publike: Nuk ka të vdekur nga Virusi ‘Nil’

Në Klinikën e Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është duke u trajtuar një pacient, i cili dyshohet se është prekur nga virusi “Nil”  si pasojë e pickimit të mushkonjës dhe se nuk ka vdekur asnjë person nga ky virus.

Këtë e ka bërë të ditur për KALLXO.com, drejtori i Klinikës së Infektivës, Hamdi Ramadani.

“Për momentin është një rast i dyshimtë që po trajtohet në Klinikën Infektive, të cilin ende na duhet ta konfirmojmë. Sipas një analize laboratorike, ka dalë se pacienti është i prekur nga virusi në fjalë, kurse ditëve në vijim do ta vërtetojmë saktësisht”, tha ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës që nga dje ka deklaruar se një person ka vdekur në QKUK si pasojë e prekjes nga virusi.

Por këto deklarata i ka demantuar për KALLXO.com drejtori i Klinikës Infektive.

Ramadani tha se ditën e djeshme një grua 82 vjeçare ka vdekur, por jo për shkak të virusit në fjalë.

Sipas drejtorit, pacientja kishe pasur komplikime shëndetësore në zemër dhe mushkëri.

“Ai person nuk ka vdekur prej virusit Nil, ai rast ka mund të jetë i prekur, por ka qenë një grua 82 vjeçe e sëmurë nga problemet e zemrës dhe në mushkëri, kështu që nuk ka vdekur nga virusi ‘Nil’. Edhe obduksioni nuk është bërë për shkak se nuk kemi dyshuar që vdekja ka mundur të vjen prej virusit”, tha ai.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm deri në kohën e publikimit të artikullit.

Më herët gjatë ditës, Naser Ramadani është cituar nga Radio “Evropa e Lirë” duke konfirmuar vdekjen e një personi nga ky virus.

https://kallxo.com/rast-i-ri-me-virusin-nil-ne-kosove/

Ndërsa, përmes një komunikate për media, ky institucion ka njoftuar se në laboratorët e Institutit Kombëtar sot është detektuar prania e virusit të Nilit Perëndimor te pacienti i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK.

Në po të njëjtin njoftim ky Institut thotë se “në Kosovë ka vdekur një person i moshuar me sëmundje kronike të cilit ia ka rënduar gjendjen virusi i Nilit Perëndimor”.

IKSHPK ka kërkuar nga departamentet komunale të bëjnë dezinsektimin në komunat përkatëse, sipas rekomandimeve të OBSH.

Brenda një jave, 17 persona kanë vdekur si pasojë e virusit të Nilit perëndimor në gjithë Europën.