QKRMT: Prokuroria i Injoron Kallëzimet Penale për Burgjet

Alban Muriqi, monitorues i burgjeve nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) thotë se dy kallëzime penale që janë dërguar në prokurori ndaj gardianëve në burgje janë neglizhuar nga Prokuroria e Shtetit.

QKRMT pohon se ka raportuar raste të keqtrajtimeve të të burgosurve të cilat nuk janë trajtuar nga Prokuroria.

Muriqi thotë se incidentet në burgje, megjithëse janë të shpeshta nuk evidentohen apo trajtohen shpesh.

“Siguria në kuptimin e vetë personave ka mjaft incidente por ka edhe raste apo pohime për keqtrajtim. Ne kemi dorëzuar dy kërkesa, kallëzime penale si organizatë jo qeveritare në prokurori për rastet e keqtrajtimeve nga gardianët”, deklaroi Muriqi.

Në emisionin ‘Jeta në Kosovë’,  me Jeta Xharrën në prezencë të përfaqësuesit të prokurorisë, Muriqi tregoi se nuk ka marrë përgjigje ndaj kallëzimeve penale të dorëzuara.

“Njërën e kemi dërguar qe një vit e pesë muaj e tjetrën 12 muaj. Ne kemi bërë prapë kërkesa nuk kemi kurrfarë përgjigje për asnjërën edhe pse kanë kaluar afatet ligjore”, tha Muriqi.

Ndërkaq Prokurori Shqipdon Fazliu pranoi se neglizhenca e këtyre rasteve paraqet të metë në sistemin prokurorial.

“Sigurisht që do të interesohemi dhe do të japim një përgjigje. Prokuroritë janë të obliguara që të përgjigjen dhe kjo është diçka që është identifikuar edhe më herët si e metë në sistemin prokurorial”, tha Fazliu.

‘Jeta në Kosovë’, sonte i kushtohet sigurisë në burgje dhe emisionin e plotë mund ta ndiqni më poshtë: