Ilustrim

QKMF në Gjakovë mohon se kanë çmime të ndryshme për bashkëatdhetarët

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Gjakovë ka mohuar se kanë aplikuar çmime diskriminuese ndaj bashkëatdhetarëve për shërbime mjekësore.

Drejtoria e Shëndetësisë në këtë komunë ka shpjeguar se çmimet dallojnë vetëm për ata që nuk janë shtetas të Kosovës.

Ditë më parë, Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje kishte hedhur akuza lidhur me çmimet për shërbimet mjekësore në komunën e Gjakovës.

“Nga 1 euro sa ka qenë pagesa për vizitën mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunën e Gjakovës, tani është 2 euro, ndërsa për bashkëatdhetarët çmimi që duhet të paguajnë për të njëjtën vizitë është 5 euro.Bashkëatdhetarët tanë, ndonëse kanë mundësi të bëjnë pushimet në vende të ndryshme të botës, zgjedhin Kosovën dhe kthehen në vendlindjet e tyre. Mërgata jonë vazhdon të jetë burim financiar për familjet dhe ekonominë kosovare”- kishte thënë për rtv21, deputetja Nagavci.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e QKMF-së dhe dDejtoreshën e Shëndetësisë në Gjakovë.

Kujtim Zarari drejtor i QKMF-së në Gjakovë, tha se të gjitha shërbimet kanë çmimoren e vet.

“Varësisht prej nevojave që kanë pacientët, por për të gjithë kategoritë e personave kemi rregulloren dhe çmimoren”- thotë Zarari.

Ndërsa Drejtoresha e Shëndetësisë në Gjakovë, Adelina Shehu Kola, tha se të gjitha reagimet po bëhen për qëllime politike.

“Reagimet e partive të tjera ose opozitës janë shpifje e nuk janë të vërteta, sepse unë si drejtoreshë nëse e kuptoj që dikush prej QKMF-së e bënë këtë gjë do ta suspendoj. Kushdo qoftë prej qytetarëve që ka dëshmi për padrejtësi, atëherë le t’na prezenton.Vetëm personat me letërnjoftim ose pasaportë të shtetit të huaj, vizitat mjekësore i paguajnë 5 euro dhe këtë gjë e bëjme për shkak të mosmanipulimeve të shteteve të huaja e që janë të rregulluara me ligj dhe udhëzim administrative UA04/2007. Ndërsa qytetarët tonë vizitën te specialisti e paguajnë 2 euro, ndërsa vizitën te jospecialisti e paguajnë 1 euro”- thotë drejtoresha Shehu-Kola.

Për këtë rast, kishte reaguar edhe Alternativa në Gjakovë.