Qindra Besimtarë Falin Bajramin në Veri të Mitrovicës

Qindra besimtarë të Lagjes së Boshnjakëve e kanë falur namazin e Fitër Bajramit në sheshin “Adem Jashari” të kësaj lagjeje.

Banorët e kësaj lagje janë shprehur se në mungesë të xhamisë së Ibrit e cila u shkatërrua në luftën e fundit nga forcat serbe, ata janë obliguar që këtë ritual fetar ta organizojnë në sheshin e kësaj lagjeje.

Që nga shkatërrimi i xhamisë së Ibrit e cila ka qenë e ndërtuar në afërsi të urës kryesore të këtij lumi ky ka qenë organizimi i parë për faljen e namazit të Bajramit në atë pjesë.

Cena Bala, imami në xhamisë Isa Beg në Mitrovicë, i cili sot ka drejtuar nmazin e Bajramin për banorët e veriut e ka lutur Zotin që këta besimtarë herëve të tjera të falen në xhaminë e urës së Ibrit.

“Duke e lutur All-llahun që ritualet fetare të Bajrameve të ardhshëm t’i falim në xhaminë e urës së Ibrit gjithashtu bëj thirrje te institucionet tona që të bëjnë me shumë që ajo xhami të rindërtohet pasi që u shkatërrua në luftë”, tha Bala.

Zymer Ismaili, banor i Lagjes së Boshnjakëve u shpreh i lumtur që pas 17 viteve ata patën mundësi që faljen e Bajramit ta kryejnë në vendin e tyre.

“Banorët e lagjes sonë e kanë organizuar faljen e namazit të Bajramit në lagjen tonë. Kjo është hera e partë pas luftës që ne falemi këtu dhe jo në xhamitë e jugut të qytetit pasi që dihet së pas shkatërrimit të xhamisë së Ibrit ne kemi mbetur pa objekt fetar”, tha Ismaili.

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës nga stacioni i veriut të Mitrovicës, pjesëtarë të KFOR-it dhe Karabinierëve Italianë, e kanë vëzhguar nga afër faljen e bajramit në këtë lagje.

veri1 veri2 veri3