Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, Foto: KALLXO.com

Qeverisja e Shqiprim Arifit humb shumicën në Kuvendin e Preshevës

Fetanete Mehmedi e ka njoftuar Kuvendin Komunal të Preshevës se që nga sot nuk do të jetë më këshilltare e partisë në pushtetin lokal – Alternativa për Ndryshim, por do të veprojë si e pavarur.

Me largimin e Fetanete Mehmedit, partia Alternativa për Ndryshim e humb shumicën në Kuvendin Komunal.

Në letrën e dorëheqjes së saj, të siguruar nga KALLXO.com,  ajo liston një numër të arsyeve që e kanë shtyrë të marrë këtë vendim: Stagnimi i plotë i zhvillimit ekonomik, mungesa e perspektives për gjeneratat e reja, mosrealizimi i premtimeve parazgjedhore, politizimi i skajshëm i të institucioneve publike lokale dhe dështimi i integrimit nëpër institucione shtetërore.

Po ashtu, ajo ka përmendur edhe “përdorimin i fjalorit nga i cili thellohen përçarjet, mosmbrojtja e institucioneve lokale (Shtëpia e Kulturës, biblioteka, RTV Presheva, dhe teatri i qytetit si dhe zyra për të rinjtë) nga goditjet e drejtpërdrejta, dhënia e premtimeve boshe që fyejnë edhe inteligjencën e qytetarit të zakonshëm (hapja e kufirit, kthimi i gjykatës, sigurimi i teksteve shkollore për nxënësit e arsimit shqip).

Tutje në këtë letër ajo ka bërë të ditur që do të vazhdojë angazhimin e saj si këshilltare e pavarur.

“Prej sot, do ta vazhdoj si këshilltare e pavarur e këtij Kuvendi, duke ndërprerë bashkëpunimin dhe bashkërendimin politik me Alternativën për Ndryshim ku kam qenë deri më tani. Këtë hap jam e detyruar ta marrë për shkak të arsyeve të lartpërmendura dhe duke dashur të distancohem nga politika dështuese e qeverisjes aktuale e cila ka zhgënjyer pritjet e mia ashtu siç ka zhgënjyer edhe pritjet e shumë qytetarëve në Preshevë”, ka thënë ajo në letrën e dorëheqjes.