Fotografi nga Google Maps mbi fshatrat Banje, Bellanice dhe Senik Foto: Google Maps

Qeveria vendosi, Zonë Ekonomike në fshatin e Fatmir Limajt

Qeveria e Kosovës, gjatë mbledhjes së sotme përfundimisht ka vendosur që t`i shpallë si zonë ekonomike të veçantë pjesët e fshatrave, Banjë, Bellanicë e Senik.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi javën e kaluar për kërkesën e Komunës së Malishevës për ta shpallur këtë zonë të veçantë ekonomike në fshatin e kryetarit të Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj.

Në mbledhjen e kaluar kjo pikë u shty, ndërsa sot Qeveria e Kosovës e shpalli këtë zonë të veçantë ekonomike pas asnjë votë kundër e asnjë abstenim.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, tha se gjatë mbledhjes së kaluar debati është shtjerrë. Ai kërkoi që ky propozim i tij të miratohet, sepse është projekt nacional e që sipas tij krijon mijëra vende pune.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili është interesuar të dijë nëse ka pasur dakordim nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me Ministrinë e Financave dhe atë të Ambientit.

E zëvendës ministri i Financave, Fatmir Gashi që e zëvendësoi shefin e tij, Bedri Hamzën tha se s’ka pasur asnjë kërkesë nga Ministria e Tregtisë për këtë çështje dhe se ata si ministri nuk e dinë koston e këtij projekti. Megjithatë, kjo mungesë e informatave për Ministrinë e Financave nuk është problem për Gashin.

“Ministrisë së Financave nuk i ka arritur kurrfarë kërkesë dhe nuk e dijmë koston e këtij projekti, mirëpo me siguri është inicim fillestar dhe pasi që të përcaktohet ajo zonë me interes të përgjithshëm, atëherë do të fillon ajo procedura që është e nevojshme për gjetjen e buxhetit dhe sigurimin e mjeteve, duhet shikuar ndoshta me rishikim të buxhetit apo me buxhet të vitit 2019”, tha zëvendës ministri i Financave, Fatmir Gashi në mbledhjen e Qeverisë.

Ndërsa Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha që do të ishte më mirë nëse Qeveria e Kosovës do zhvillonte zonat të cilat tashmë janë të krijuara, para se të dalin në zona shtesë.

“Krejt në rregull është zonë ekonomike, mirëpo ne kemi tri zona tjera ekonomike që janë shpallë vite më parë, në Mitrovicë, Prizren e Gjakovë, s`u bo kurrgjë me buxhet ose shumë pak është ba, dhe ato janë pjesë që është dashtë të zhvillohen me kohë dhe jo të dalim në zona shtesë, pa i zhvillu këto aktualet, pasi që ka toka të shtetit, e ku ka mundësi me i zhvillu ma tepër”, tha Lluka në fjalët e tij në mes tjerash.

Nënkryetari i PDK-së që është edhe ministër i Shëndetësisë, Uran Ismaili kërkoi të di nëse ky proces përfundon me këtë vendim të Qeverisë, apo do të ketë edhe vendime tjera për këtë çështje.

Sipas Gashit, kjo votohet veç njëherë në Qeveri, pastaj ministritë e diskutojnë në mes vete.

“Këta kërkojnë që të shpallet me një vendim vetëm zonë me interes të posaçëm, e pastaj fillojnë procedurat e buxhetimit, vlerësimit, pastaj kryhet ai vendim, pastaj ka punë me Ministrinë e Financave dhe me Ministrinë e Ambientit. Unë jam pro”, tha në mes tjerash Gashi.

Gazeta Jeta në Kosovë javën e kaluar publikoi hulumtimin për kërkesën e Komunës për krijimin e kësaj zone të veçantë që prek tri fshatrat e Komunës së Malishevës, përfshi edhe fshatin e zëvendës kryeministrit Fatmir Limaj.

NISMA kërkon zonë ekonomike në fshatin e Fatmir Limajt