Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria: Sulm ndaj Fjalës së Lirë

“Qeveria e Kosovës konsideron se ky është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë,” thuhet në reagimin qeveritar.

Qeveria sulmin me granatë e konsideron akt të shëmtuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin me mjet shpërthyes ndaj Radio-Televizionit të Kosovës (RTK), të kryer mbrëmë në rrethana ende të pasqaruara. Qeveria e Kosovës fton organet kompetente shtetërore që të zbardhin këtë rast dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe nxitësit e këtij akti të shëmtuar,” vijon deklarata.

Qeveria kërkon nga subjektet politike të mos etiketojnë mediet.

“Qeveria e Kosovës, po ashtu, u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve dhe subjekteve politike që në diskursin e tyre publik të mos etiketojnë, sulmojnë dhe linçojnë mediat publike dhe private, në funksion të respektimit dhe të mbrojtjes së fjalës së lirë,” porosit qeveria.

Edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli në reagimin e tij sulmin e mbrëmshëm ndaj RTK-së e vlerëson akt kriminal.

“Hedhja e mjetit shpërthyes mbi Radio Televizionin e Kosovës, përbën një veprim kriminal që në vazhdën e veprimeve të ngjashme të kohëve të fundit, synon të cenojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe zyrtarëve të institucioneve publike,” thuhet në reagimin e Veselit.