foto MKRS
Qeveria shpenzon 180 mijë euro të rezervave për film
Qeveria e Kosovës i ka ndarë 180 mijë euro për realizimin e një filmi që është prezantuar si bashkë-produksion kosovaro- amerikan.
Në mbledhjen e sotme, kryeministri Ramush Haradinaj ia la zëvendës ministres së Kulturës, Leonora Morina – Bunjaku, që ta prezantojë kërkesën për ndihmë këtij filmi.
Por zëvendës ministrja, e propozoi kërkesën, pa e ditur shumën për të cilën kërkohej mbështetja.
“Kërkesa është në rregull, mirëpo ne nuk kemi mjete financiare për të ndarë. Nëse gjenden mundësi tjera, fonde tjera nga qeveria, Ministria e Kulturës e mbështetë”, tha ajo.
Kur u pyet nga Haradinaj sa është shuma e kërkuar, Morina- Bunjaku tha se ajo nuk pati përgjigje.
“Shumën nuk e kemi cekur, ju kërkojmë falje”, tha ajo.
Përderisa zëvendës-ministrja po tregonte se nuk e dinte shumën, kamerat nga mbledhja e qeverisë shfaqnin Haradinajn duke u konsultuar me pjesëtarë të stafit të tij.
Kur u kthye në ulësen e vet, Haradinaj kumtoi shumën.
“Në materialet që kemi para vetes, ‘Iliria Film’ ka parashtruar kërkesë në Ministrinë e Kulturës. Bëhet fjalë për realizimin e filmit artistik ‘Lojë Jete’, koproduksion Kosovë- SHBA. Bazuar në kërkesën e lartëcekur janë kërkuar mjete financiare në vlerë 180 mijë euro. Pra nga kategoria e shpenzimeve rezervë”, tha Haradinaj.
Përkrahja e këtij filmi u përkrah nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, pa asnjë votë kundër apo abstenim.