Foto: KALLXO.com

Qeveria: Serbia siguroi kandidat për UD të Komandantit Rajonal të Policisë, personin me dosje penale

Kosova ka kërkuar nga ana e Serbisë që të siguroj një listë që tregon hollësisht numrin dhe gradën e punonjësve qeveritar serb (policë) të punësuar në Kosovë dhe të cilët kanë shprehur interesim t’u bashkohen strukturave të Kosovës.

Kjo listë ishte vonuar nga ana e Serbisë, thuhet në raportin mbi arritjet dhe sfidat në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit që Qeveria ua ka dërguar deputetëve, ku flitet edhe për sfidat dhe marrëveshjet që janë bërë për policinë.

Sipas këtij raporti, Serbia kishte siguruar dy emra të dy kandidatëve për pozitën e ushtruesit të detyrës së komandantit Rajonal të Policisë, ku më tej të dy kandidatët u patën refuzuar.

“Pas verifikimit të së kaluarës që të dy kandidatët u refuzuan. Kandidati i parë ishte vetëm anëtar i MUP dhe asnjëherë nuk kishte shërbyer në kuadër të Policisë së Kosovës, ndërsa kandidati i dytë ishte shkarkuar nga PK tre vite më parë dhe kishte dosje penale për falsifikim të dokumenteve”, thuhet në raportin e Qeverisë.

Sipas raportit qeveritar, emërimi i stafit të lartë menaxhues për Drejtorinë Rajonale të Policisë në veri duhet të jetë në përputhje me përfundimet.

“Sfidat e vazhdueshme janë dokumentet e identifikimit, kontratat e punës, deklaratat profesionale, betimi në detyrë dhe sistemi i gradimit”, thuhet në raport.

Gjithashtu në raportin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se është zbatuar plotësisht marrëveshja për integrimin e Policisë së Kosovës, është miratuar infrastruktura ligjore për krijimin e Drejtorisë Rajonale e Policisë në Mitrovicë dhe emërimi i Drejtorit Rajonal në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicën Veriore.

Po ashtu thuhet se është arritur plotësimi i stafit në DRP të Mitrovicës Veriore si dhe është emëruar stafi komandues.

Gjithsej numri i stafit në MUP arrin 337 persona. “Pas verifikimit të së kaluarës janë aprovuar 292 perona. Prej tyre 5 janë tërhequr nga procesi i integrimit duke ndërprerë trajnimin”, thuhet në raport.

Policia e Kosovës ka promovuar gjashtë major dhe 17 togerë duke u bazuar në marrëveshjen e datës 1 gusht të vitit 2014.

Disa sfida të tjera të cilat është përballur Policia e Kosovës, janë: anulimi i takimeve lokale, rajonale dhe qendrore nga Serbia, Serbia nuk ka ndarë dhe shkëmbyer informata në fushën e kontrollit kufitar dhe Serbia nuk ka zbatuar kontroll të lehtësuar të kufirit gjatë flukseve të trafikut të pikë kalimet kufitare.