Gafurr Dugolli, foto:Facebook

Qeveria Reagon për Arrestimin e Gafurr Dugollit

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka ngritur shqetësimin e tij lidhur me arrestimin nga ana e autoriteteve maqedonase të Gafurr Dugollit, zyrtar i ministrisë së tij, dhe ish pjesëtar i UÇK-së.

Dugolli u arrestua të premten në pikën kufitare Kosovë- Maqedoni përderisa po shkonte në Shkup në një udhëtim zyrtar.

Demolli tha se ky arrestim u bë mbi bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Serbisë kinse për krime lufte.

“Të premten autoritetet maqedonase kanë arrestuar Gafurr Dugolli zyrtar i ministrisë së FSK-së, njëherësh ish pjesëtar i UÇK-së. Ai është ndalu në kufirin Kosovë – Maqedoni, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Serbisë se kinse për krime lufte”, tha Demolli.

Demolli ka kërkuar nga ministritë përkatëse dhe nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të natyrës diplomatike dhe ligjore me qëllim të lirimit të Gafurr Dugollit dhe të shikohet mundësia që edhe në të ardhmen mos të përsëriten fletarreste të tilla për ish pjesëtarët e UÇK-së.

Kryeministri Mustafa tha se qeveria ka reaguar lidhur me këto raste. Sipas tij kjo mbetet çështje e cila duhet të zgjidhet pasi që Kosova ende nuk është anëtare e Interpolit.

“Duhet të gjendet zgjidhje në mënyrë që Serbia të heq dorë nga këto veprime dhe që pastaj ato të zgjidhen në suaza të rregullave ndërkombëtare dhe të kthehen njerëzit sepse asnjë arsye që të mbahen atje”, tha Mustafa.

Edhe Edita Tahiri, ministre për Dialog, tha se për këtë rast i kanë shkruar BE-së.

“Për këtë rast ne i kemi shkruar Bashkimit Evropian dhe ata janë duke u angazhuar që kjo çështje të mos trajtohet në mënyrën se si e paraqet pala serbe. Ne theksuam edhe faktin që si duket të dhënat janë të vjetruara dhe nuk është bërë një përditësim dhe kjo po krijon disa probleme”, tha ajo.

Ndërsa Petrit Selimi, ushtrues detyre i Ministrit të Punëve të Jashtme, propozoi që çështja e fletarrestimeve të lëshuara në Interpol nga ana e institucioneve të Serbisë të të adresohet në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi pasi që, sipas tij, ky është problem që po përsëritet tash e dhjetë vjet.