Ndërtesa e qeverisë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria reagon pas akuzave të Beogradit rreth informimit të serbëve të Kosovës

Qeveria e Kosovës me anë të një deklarate ka reaguar ndaj autoriteteve serbe rreth deklaratave të fundit për ndalesë të furnizimit të serbëve të Kosovës me gazetat që shtypen në Serbi, në kuadër të taksës doganore të vendosur javën e kaluar.

Sipas qeverisë, autoritetet serbe po bëjnë propagandë ‘nga të cilat janë ndikuar edhe disa organizata ndërkombëtare’.

“Po e sqarojmë edhe njëherë se taksa 100 për qind, e drejtë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e saj, në asnjë formë nuk prek shpërndarjen e mediumeve dhe të drejtën e informimit për asnjë pjesëtarë të asnjë komuniteti”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të Qeverisë:

Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë t’i krijojnë dhe përdorin mediat e tyre. Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë numër të rezervuar të frekuencave për mediat elektronike, me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Ligjet në Kosovë, ua kanë mundësuar pjesëtarëve të komuniteteve që edhe të jenë pjesë drejtuese e shumë institucioneve që lidhen me mediat.

Krahas prezencës së një numri të madh të mediumeve serbe në vend, nga qershori i vitit 2013 në Kosovë  ka filluar transmetimi i kanalit të dytë i Radio Televizionit të Kosovës në të cilin 85% e programit është në gjuhën serbe, 15% në gjuhët e minoriteteve të tjera.

E drejta për media garantohet përpos me Kushtetutë, po ashtu edhe me ligje të posaçme: Ligji 03/L – 047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, i cili përmban dispozitat e caktuar për garantimin e lirisë së mediave për pjesëtarët e komuniteteve minoritare.

Presionet nga autoritetet e Serbisë dhe gënjeshtrat nuk i shërbejnë të drejtës dhe as procesit të integrimit.

Ne do të bëjmë çdo gjë që të ruajmë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore për të gjithë qytetarët e Republikës, e në veçanti për komunitetin serb në Kosovë.

Qeveria e Kosovës e ka rritur në 100% taksën doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Këtë vendim e ka marrë qeveria në mbledhjen e 21 nëntorit.

Në lidhje me vendosjen e taksës reaguan edhe ndërkombëtarët.

Për rritjen e taksës po protestohet në veri të Mitrovicës.

https://kallxo.com/qeveria-rrit-taksen-ndaj-produkteve-serbe/?fbclid=IwAR3ZJ-ulkXOKAyQUxY8Z6z76eTyUJo58xrYk-p2Ge6C-F-vbnXgtnzzR6aM

https://kallxo.com/cfare-nenkupton-taksa-doganore-100/?fbclid=IwAR3yoGp-mSL70n0iiE0b6Nsp-0SSgotKG7p_8n7mjvOxbg-WqMPcQlclohA