Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Qeveria: Raporti i Progresit, më Pozitivi që Ka Pasur Kosova

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se e ka analizuar Raportin e rregullt të BE-së për Republikën e Kosovës, i publikuar sot para opinionit të gjerë.

Sipas Qeverisë, Raporti në fjalë reflekton stadin e vendit tonë në raport me anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE.

“Në këtë kontekst, raporti është tregues se në tërësi Kosova ka tepër punë për të bërë deri tek anëtarësimi i plotë kurse në veçanti reflekton punën e madhe dhe progresin e madh që është arritur në vitin e fundit. Ky raport është raporti më pozitiv që ka pas Kosova në vitet e fundit”, thekson Qeveria në një komunikatë të lëshuar sonte vonë.

Sipas Qeverisë, në Raportin e Progresit është raportuar progres në sundim të ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe në sekuestrimin e aseteve dhe në masat për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit.

Qeveria vlerëson se Raporti flet për rezultate shumë të mira në fushën e zhvillimit ekonomik, se janë vlerësuar votimi në Kuvend i Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për demarkacionin e kufirit me Republikën e Malit të Zi, përgatitjet në Reformën e Administratës Publike dhe fillimin e reformave në administratën publike, pastaj përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve dhe rifillimi i dialogut me Serbinë, Integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, etj.

“Kosova nuk ka dilema për rrugën e saj drejt BE-së, përkundër faktit që në BE janë të ndarë sa i përket integrimit të Kosovës në familjen evropiane. Progresi i përmendur në këtë raport është dëshmi e qartë se të gjitha kriteret për liberalizim të vizave janë përmbushur”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

“Pavarësisht se raporti i progresit nuk është mekanizmi përkatës për vlerësim të plotësimit final të kritereve, vonesat në liberalizimin e vizave nuk munden më të arsyetohen me mos plotësim kriteresh. Kosova e ka kryer punën e vet. Me të drejtë Kosova pret që BE tash të njohë këtë progres dhe mekanizmat relevantë të japin dritën e gjelbërt për liberalizimin e vizave sa më shpejtë që të jetë e mundur”, thuhet po ashtu në komunikatë.

Qeveria premton se sfidat e përmendura në Raport do t’i identifikojë dhe do të punojë që këto të tejkalohen sa më shpejtë që të jetë e mundur.