Pamje nga një mbledhje e mëhershme e Qeverisë - Foto: ZKM

Qeveria Propozon Shkarkimin e Bajram Zogianit

Kryeministri Mustafa e propozoi këtë shkarkim duke e arsyetuar me procedurën gjyqësore nëpër të cilën po kalon Zogiani.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit ka gjithsej pesë anëtarë. Tani për tani janë dy anëtarë që aktivisht punojnë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik dhe është një anëtar i cili është në një procedurë gjyqësore, për të cilin sot ne po i propozojmë Kuvendit që të bëhet shkarkimi i tij sipas bazës ligjore, e cila është krijuar me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik,” tha Mustafa.

Drejtuesi i qeverisë më pas sqaroi edhe për çfarë akuzohet Zogiani.

“Fjala është për z. Bajram Zogiani, për të cilin më 24 dhjetor 2014 është vënë dyshim për trafikim me qenie njerëzore dhe është arrestuar. Ai deri më tani ka mbajt diku 14 muaj paraburgim dhe nuk është përfunduar procedura gjyqësore për të, por në të njëjtën kohë nuk është marrë asnjë masë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik,” tha më tutje Mustafa sipas komunikatës së lëshuar nga mbledhja e ekzekutivit.

Mustafa bëri të ditur se propozimit për shkarkim të Zogianit që do t’i shkojë Kuvendit, do t’i bashkohet edhe një arsyetim i hartuar nga qeveria.

“Vlerësimi është se ai edhe më tutje nuk duhet të kryej atë detyrë, ndërsa çështja e përgjegjësisë së tij për veprën, është çështje për të cilën duhet drejtësia ta jap gjykimin e vet. Është një arsyetim i cili është i shkruar, për të cilin pastaj është propozimi që ne t’ia bashkëngjisim vendimit,” tha Mustafa.

Më 15 janar të këtij viti dha dorëheqje dhe Hysni Hoxha që drejtonte Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Ndaj Hoxhës dhe disa personave tjerë, mes tyre edhe drejtorit të KEK-ut Arbën Gjukës dhe kryetarit të Skenderajt Sami Lushtakut ka nisur një proces gjyqësor për tenderin 6 milionësh të KEK-ut.

http://kallxo.com/fjala-hyrese-ne-gjykimin-per-tenderin-e-kek-ut/