Fshati Shipitullë. Foto: BIRN

Qeveria Paralajmëron Fundin e Krizës Energjetike

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Arbër Vllahiu sot në një konferencë për gazetarë në Shipitullë, prapa ekskavatorëve të KEK-ut që nisën nxjerrjen e qymyrit, konstatoi se krizës energjetike po i vjen fundi.

“Periudhës emergjente dhe humbjeve po u vjen fundi”, tha Vllahiu.

Ai më tutje deklaroi se angazhimi i përditshëm i Ramush Haradinajt për energjetikën ia kurseu Kosovës humbjet e ardhshme.

“Angazhimi i çdoditshëm i Kryeministrit Haradinaj në çështjen e energjisë  ka parandaluar humbjet që do të përjetonte Kosova në muajt e ardhshëm”, tha Vllahiu.

Ai bëri të ditur se nuk do të ketë si më parë shpenzime për importin e energjisë.

“Gjithashtu u jep fund edhe shpenzimeve enorme vjetore prej 100 milionë eurosh, siç ka ndodhur në të kaluarën me blerjen e energjisë”, tha Vllahiu.

Zëdhënësi i qeverisë përsëriti fjalët e Kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë ndërprerje dhe as shtrenjtim të energjisë.

“E përsërisim edhe një herë qëndrimin e Kryeministrit Haradinaj se nuk do të ketë ndërprerje të energjisë dhe nuk do të ketë ngritje të çmimit të energjisë elektrike”, tha Vllahiu.

Dy ditë më parë teksa vizitoi KEK-un, Ramush Haradinaj deklaroi se nuk do të ketë ndërprerje ë energjisë elektrike për festa e as shtrenjtim të rrymës.

Por dje KALLXO.com shkroi se lagjja “Dardania” në Fushë-Kosovë nuk kishte rrymë dhe ushtrimet e fëmijëve karateistë të një klubi po mbaheshin me drita telefonash të prindërve të tyre.

Në Shipitullë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka tha se Kosova i shpëtoi kolapsit energjetik.

Edhe ministri e përmendi shefin e tij. Tha se Haradinaj arriti të bindë banorët e Shipitullës me gjenerozitet dhe vendosshmëri që ta zhbllokojnë vendin nga kriza energjetike.

Haradinaj në fillim të mandatit të tij si kryeministër arriti marrëveshje për zhvendosje me banorët e Hades dhe Shipitullës, por kur këta banorë nuk u zhvendosën në afatin e paraparë, Haradinaj tha se disa matrapazë po përfitojnë nga ky proces.

http://kallxo.com/haradinaj-nuk-lejojme-matrapaze-ta-bllokojne-kosoven/

KEK-u kishte kërkuar nga banorët e Hades dhe Shipitullës që të nënshkruajnë kontratat e zhvendosjes deri më 15 dhjetor, por më pas e zgjati afatin për kontrata.

http://kallxo.com/kek-u-fton-banoret-e-shipitulles-dhe-hades-ti-nenshkruajne-kontratat-per-zhvendosje/

http://kallxo.com/kek-u-zgjat-afatin-per-nenshkrim-te-kontratave-te-zhvendosjes/