Qeveria: Nuk kemi bërë ndalesë të vizitave për askënd nga Beogradi

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka përgënjeshtruar Ministrinë e Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj se ka ndalesa për vizita të zyrtarëve nga Serbia në Kosovë.

“Pas raportimeve të fundit dhe adresimit të shumë medieve me pyetje rreth deklaratave për ndalesën e hyrjes në Kosovë për qytetarët serb, njoftojmë opinionin se, Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka marrë një vendim të tillë”, thuhet në njoftim

Në anën tjetër, Këshilltari i Behgjet Pacollit kishte thënë se MPJ nuk do të lejojë asnjë vizitë zyrtare nga Beogradi.

“Për shkak të kërcënimeve hibride që Serbia po bën ndaj Kosovës, propagandës së vazhdueshme dhe lajmeve fake ndaj vendit dhe qytetareve tanë dhe përpjekjet e fundit për të inskenuar një të ashtuquajtur krizë humanitare në veri të Kosovës duke kërcënuar popullsinë serbe që jeton atje dhe duke i detyruar ata të mbyllin bizneset e tyre vetëm për shkak të disa objektivave politike të Beogradit, Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të lejojë asnjë zyrtar nga Beogradi për të vizituar Kosovën dhe të gjitha kërkesat do të refuzohen për aq kohë sa kjo sjellje vazhdon”, ka shkruar Zyberaj në ‘Facebook.

Këto ndalesa sipas Zyberajt po bëhen për shkak të sjelljeve të Serbisë karshi Kosovës, sidmos me situatën e fundit të ‘krizës humanitare’ në Veri.

Qeveria e Kosovës ka hapur disa dyqane të përkohshme në veri të vendit, pasi që mediat serbe kishin përhapur lajme së ka krizë humanitarë atje.