Diskutimet pë nismën e tregut rajonal | Foto: KALLXO.com

Qeveria Njëzëri Kundër Zonës Ekonomike Rajonale

Zëvendës-kryeministri Fatmir Limaj, ministri Besim Beqaj e deputetja Hykmete Bajrami u bënë bashkë për ta kundërshtuar nismën e zonës ekonomike rajonale.

Ata e arsyetuan këtë qëndrim duke iu referuar barrierave për produktet kosovare në Serbi, mungesës së gatishmërisë së kësaj të fundit për ta trajtuar Kosovën si palë të barabartë dhe pafuqisë ekonomike të Kosovës përballë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

Fatmir Limaj, Besim Beqaj e Hykmete Bajrami ishin pjesë e tryezës së Grupit për Studime Juridike dhe Politike, GLPS, ku u prezantua raporti “Zona Ekonomike Rajonale për Ballkanin Perëndimor: Implikimet e Gjera Tregtare dhe Sfidat për Zbatimin e saj në Kosovë”.

Zëvendës-kryeministri Limaj tha se Kosova duhet t’i kthehet vetes.

“Besoj që Kosova përfundimisht duhet t’i kthehet vetes së saj dhe të sillet proporcionalisht në një mënyrë reciproke me të gjithë të tjerët”, tha Limaj gjatë konferencës.

Përveç kësaj, ai shtoi se ka qenë mbështetës ndaj qëndrimit të Isa Mustafës rreth integrimit rajonal.

“Shembulli ma i mirë, besoj, është qëndrimi i ish-kryeministrit të Kosovës Z.Mustafa, duke e kundërshtuar unionin doganor dhe besoj që ka qenë një qëndrim largpamës. Ky është edhe orientimi ynë”, u shpreh Limaj.

Ndërsa ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj tha se që nga korriku i 2017-ës i ka kërkuar sqarim qeverisë se për çfarë formati të bashkëpunimit bëhej fjalë, duke iu referuar pamundësisë që Kosova të nënshkruajë marrëveshje të shumta tregtare me Serbinë.

“Kur flasim për integrimin ekonomik, kërkohen shumë marrëveshje bilaterale dhe multilaterale. Ne nuk e di sa do të jemi të gatshëm të bëjmë marrëveshje bilaterale. Ne jemi të gatshëm si shtet, por Serbia nuk është e gatshme dhe kjo nuk do shpjegim”, tha Beqaj.

Sipas tij, diku rreth 50 marrëveshje dypalëshe do të duhej t’u paraprinin marrëveshjeve shumëpalëshe.

Beqaj e përmendi edhe pamundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës mes vete, si pengesë për thellimin e integrimit.

Ndërsa deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami tha se integrimi ekonomik duhet të jetë në shërbim të ekonomisë së brendshme.

“Integrimi si integrim nuk sjell përfitime në rast se nuk ka reforma institucionale, nuk ka projekte dhe nuk ka mekanizma të cilët do ta stimulonin prodhimin e brendshëm”, tha Bajrami.

Ajo e përmendi bilancin tregtar negativ të Kosovës, i cili siç deklaroi ajo, është 1 me 10, në favor të importit.

Ndërkaq në hulumtimin e Grupit për Studime Juridike dhe Politike u përmenden disa pika që do të shkaktonin vështirësi për Kosovën në rast të zbatimit të këtij plani.

Këtu përfshihen mosmarrëveshjet me shtetet e rajonit (me Serbinë dhe Bosnjën), pamundësia e qytetarëve të Kosovës dhe Bosnjës për të udhëtuar në vendet respektive, mundësia e “rikthimit të dominimit të Serbisë” dhe mungesa e stabilitetit politik të Kosovës.

Ish-Kryeministri Isa Mustafa kishte thënë se ideja për treg rajonal e kthen kohën e ish-Jugosllavisë.