Qeveria Haradinaj në njërën nga mbledhjet | Foto: ZKM

Qeveria Ndau 285 Mijë Euro për Qiranë ndaj Kishës Ortodokse

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mbi 285 mijë Eurove për pagesën e qirasë ndaj Kishës Ortodokse Serbe, për objektin e shfrytëzuar nga institucionet qeveritare në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ish shefi i Agjencisë Kundër Korrupsion Hasan Preteni, duke thënë se kjo pagesë që i bëhet kishës nga ana e qeverisë është pa të drejtë ligjore.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Skënder Reçica, ka thënë gjatë mbledhjes së qeverisë se objekti është në shfrytëzim nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga Agjencia Anti Korrupsion.

Sipas tij borxhi është trashëguar nga qeverisja e kaluar. Reçica ka thënë se ngecja e pagesës së qirasë është për  periudhën  31 muaj e gjysmë në vlerë  prej 9063 euro për një muaj.

“Kjo hapësirë përveç Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, është shfrytëzuar edhe nga Agjencia Kundër Korrupsion. Sipërfaqja e shfrytëzuar nga MMPH, ka qenë 203 metër katror kurse sipërfaqja e shfrytëzuar nga AKK është 804 metër katror”, tha ai.

“Që nga ajo kohë nga buxheti i MMPH kishës ortodokse serbe i janë paguar mbi 189 mijë për 21 muaj. Për shkak të kufizimeve buxhetore, ministria nuk ka pas mundësi të realizoj pjesën tjetër të pagesës”, tha ministri.

Ai ka kërkuar të shqyrtohet propozim vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e qirasë për Kishën Ortodokse Serbe  mbi 285  për periudhën 31 muaj e gjysmë.

Ndërsa, ish Shefi i AKK-së Hasan Preteni ka reaguar përmes rrjetit social facebook, duke thënë se qeveria i paguan qira kishës pa të drejtë ligjore.

“Qeveria i paguan qira Kishës, e pa drejtë dhe jo ligjore. Ndërtesa e Agjencisë Kundër Korrupsionit është pronësi e Kosovës, janë dëshmitë për këtë, mjeranat e qeverisë paguajnë gjithçka vetëm të mbesin në pushtët”, ka reaguar Preteni.