Qeveria Miraton Shqyrtimin e Shpronësimeve për Ngrohtoren

Propozim-vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit për ndërtimin e ngrohtores së re të qytetit në Gjakovë ishte pika e pestë e rendit të ditës në mbledhjen e sotme.

Qeveria e miratoi këtë shqyrtim në mbledhjen e parë me kabinet të plotësuar nga vendet boshe që la zgjedhja e Thaçit President më 26 shkurt.

Shpronësimi në lidhje me ngrohtoren në Gjakovë duhet të bëhet në mënyrë që ngrohtorja të përfitojë nga një projekt për efiçiencë energjie prej 12 milionë eurosh.

Propozimin për shqyrtimin e këtyre shpronësimeve e paraqiti në mbledhje ministri i Mjedisit Ferid Agani.

“Për realizimin e projektit i domosdoshëm shpronësimi i pronave nën administrim të AKP-së. Kompetente për shpronësim është qeveria, respektivisht Departamenti i Shpronësimit nga Ministria e Mjedisit. Kërkojmë vendim të ekzekutivit për shpronësim,” tha ministri Agani.

Emisioni “Jeta në Kosovë” këtë të enjte një pjesë të tij ia kushton pikërisht projektit për efiçiencë energjie të ngrohtores së Gjakovës.

Për këtë projekt që qeveria rrezikon ta humbasë, në emision flasin shefi i Komitetit për Energji Janez Kopac dhe kryetarja e Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila.

Përveç miratimit të shqyrtimit të shpronësimeve për ngrohtoren në Gjakovë, qeveria miratoi edhe shpronësimet për autostradën Prishtinë-Hani i Elezit dhe ato për ndërtimin e objekteve të përhershme në pikat kufitare Bërnjak e Merdar.

Qeveria shqyrtoi sot edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Përkitazi me Themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor.

Për këtë projektligj foli i rikthyeri në krye të Ministrisë së Punëve të jashtme Enver Hoxhaj.

Hoxhaj tha se palë nënshkruese të kësaj marrëveshjeje përveç Kosovës janë edhe Shqipëria, Bosnja, mali i Zi e Kroacia, ndërsa ratifikimi i saj është obligim i Kosovës i dalë nga MSA-ja.

Hoxhaj tha se fondi do të financojë projektet e vogla dhe të mesme, ndërsa do të promovojë zhvillimin kulturor, shkencor e arsimor, kurse ka si qëllim final përmirësimin e marrëdhënieve mes shteteve fqinje.

Sipas Hoxhajt, drejtori i parë ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, do të jetë shqiptar.

Qeveria në mbledhjen e sotme ia vazhdoi për tre vjet mandatin sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa dha 20 mijë euro për Ditën e Romëve.