Qeveria Miraton Operatorin Serb të Telefonisë Mobile

Qeveria e Kosovës miratoi  ri-shqyrtimin e programit legjislativ 2016 i cili përmban 87 projektligje të cilat gjatë viti 2015 kanë qenë në hartim. Zëvendësministri Kujtim Shala apeloi që shpenzimet për këto projektligje të jenë minimale në mënyrë që të mos tejkalohet shuma e shpenzimeve të planifikuara.

Gjatë mbledhjes së qeverisë u aprovua edhe themelimi i Komisionit për Planifikim Strategjik.

“Komisioni për Planifikim Strategjik si anëtarë do të ketë kryeministrin, zëvendëskryeministrin dhe Ministri i Financave, Ministri i Integrimit Evropian, dhe ministrat e tjerë në varësi të çështjeve që do të diskutohen”, tha Shala.

Ndërkaq me kërkesë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për t’iu ndarë mjete për shpenzime të paparashikueshme, kabineti qeveritar miratoi transferimin e mbi 279,720 eurove, nga 300 euro për 74 gjyqtarë të krimeve të rënda.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka bërë kërkesë për nxjerrjen e një vendimi të ri që të gjithë gjyqtarëve të krimeve të rënda në Kosovë t’i ndahet shtesa prej 3010 euro në formë lineare si mekanizëm shtesë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit,” tha Avdullah Hoti.

Qeveria miratoi edhe vendimin me të cilin autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare lëshon autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për ndërmarrjen e re MTS D.O.O. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci e shpjegoi këtë autorizim.

“Ky autorizim i përkohshëm dhe i kufizuar hynë në fuqi në ditën e njëjtë kur Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve ia alokon Kosovës kodin telefonik shtetëror +383,” shtoi Stavileci.

Vendimi vjen pas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me të cilën Serbisë i garantohet prania e një operatori të telefonisë mobile në Kosovë.

“Ky vendim është në mbështetje të nenit 92 paragrafi 4 dhe 93 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës duke u bazuar në ligjin për ratifkimin e marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjes për telekomunikacionin në me stë Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, tha ministri Stavileci.

Në fund të kësaj mbledhje, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në kujtim të të rënëve të masakrës së Reçakut, tha se duhet të përkujtohen me nderime të larta të rënët e kësaj masakre, duke u zotuar që të jenë të përkushtuar për te realizuar aspiratat e tyre.

“Masakra e Reçakut 17 vjet më parë ishte ditë e dhimbjes por edhe ditë e kthesës historike, ditë e pikëllimit por edhe ditë e fillimit të fundit të luftës , ditë e cila mobilizoi botën demokratike për t’u bërë pjesë e përpjekjeve legjitime të popullit të Kosovës”, tha Mustafa.