Arkiv - Dëmet e shkaktuara nga breshëri

Qeveria merr vendim për kompensimin e dëmeve nga breshëri

Ministri i Financave Bedri Hamza në mbledhjen e sotme të qeverisë ka propozuar para kabinetit qeveritar ndarjen e mjeteve financiare për t`i kompensuar bujqit në komunat e vendit për dëmet që kanë pësuar nga breshëri. Ky propozim i ministrit Hamza ka kaluar me shumicën e votave të kabinetit qeveritar.

“Kjo çështje dhe çështje si kjo mos t`i trajtojmë si çështje ad-hoc. Kur bëhet fjalë për krijimin e fondit të veçantë, ky problem do të adresohet kur i qasemi në mënyrë sistemore. Propozojmë të krijohet një komision i veçantë që merret me këtë çështje. Fillimi i sistemit për krijimin e sigurimeve për bujqit në Kosovë. Çdo vit po rritet buxheti i bujqësisë. Ne duhet të mendojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe besoj që dëmet do të kompensohen në mënyrë reale si i kemi mundësitë si shtet”, ka thënë ministri Hamza.

“Propozim vendim për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga breshëri në Komunat e Kosovës dhe autorizimi i ministrit të financave për krijimin e fondit të veçantë për vitin 2019 për kompensimin e dëmeve eventuale në sektorin e bujqësisë”, deklaroi Hamza.

Kryeministri Ramush Haradinaj kërkoi që të merret vendimi i menjëhershëm për kompensimin e dëmeve nga breshëri.

“Marrim vendim për kompensim të menjëhershëm të dëmeve të shkaktuara nga breshëri. Qeveria është në proces për dëmet e sivjetshme, për krijimin e fondit të veçantë dhe krijimin e komisionit të posaçëm për fondin e sigurimeve për kompensimin e dëmeve në bujqësi”, deklaroi kryeministri Haradinaj.