Qeveria me Raport për Kriteret e Liberalizimit

Kryeministri Mustafa është takuar sot me përfaqësuesit institucionalë për përmbushjen e tetë rekomandimeve të Komisionit Evropian për liberalizim vizash.

Në një komunikatë të lëshuar nga Kryeministria thuhet se këta përfaqësues u morën vesh me Kryeministrin që deri më 15 janar ta përgatisin raportin për plotësimin e këtyre rekomandimeve.

“Përfaqësuesit e institucioneve u dakorduan që deri më 15 janar do të përgatitet raporti final lidhur me përmbushjen e rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në mënyrë që më pas rezultatet konkrete t’u raportohen institucioneve relevante të BE-së,” thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, përfaqësuesit institucionalë i thanë Kryeministrit se shtatë nga tetë rekomandimet thuajse janë plotësuar.

“Gjatë takimit, përfaqësuesit i raportuan Kryeministrit lidhur me progresin e arritur për përmbushjen e këtyre rekomandimeve dhe u konstatua njëzëri se është shënuar progres maksimal në përmbushjen e shtatë nga tetë pikat e rekomanduara nga Komisioni Evropian,” thuhet në komunikatë.

Komunikata njofton se ende nuk është përmbushur kriteri i tetë.

“Në takim u konstatua se ka mbetur ende e pazgjidhur çështja e objektit të Avokatit të Popullit, si rezultat i mos zhvendosjes së Gjykatës Kushtetuese në Pallatin e Drejtësisë, ashtu siç ishte paraparë me vendim të Qeverisë dhe të konfirmuar me letërkëmbimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese,” vijon komunikata.

Komisioni Evropian në dhjetor të vitit të kaluar ia përcaktoi Kosovës përmbushjen edhe të tetë kritereve për lëvizje pa viza të kosovarëve në Zonën Schengen.

Njëri prej tyre ishte që të sigurohen hapësirat dhe pavarësia e plotë e institucionit të Avokatit të Popullit.

Në shtatë kriteret tjera kërkohej nga ekzekutivi i vendit bartja e një numri të gjyqtarëve te pozitat e duhura në Departamentin e Krimeve të Rënda, zhvillimi i një historie të vendimeve gjyqësore për krimet e rënda, krimin e organizuar dhe korrupsionin, sigurimi i anëtarëve jopartiakë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, zbatimi i akteve nënligjore për emrat personalë, ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, riintegrimi i migruesve në BE që janë kthyer në Kosovë dhe monitorimi i statusit të ulët të kërkesave të azilit.

http://kallxo.com/demarkacioni-kusht-per-heqjen-e-vizave/