Qeveria Mbledhje për AXOS-in

Lajmin për këtë mbledhje që do të zhvillohet të hënën ose të martën në mbledhje të qeverisë e dha Isa Mustafa.

Kryeministri e njoftoi kabinetin qeveritar për këtë mbledhje ku sipas tij do të përcaktohet kompania që do ta mbrojë Kosovën në Gjykatën e Arbitrazhit në Washington nga padia e ngritur prej kompanisë “Axos”.

Kompania “ACP Axos Capital Gmbh” ishte shpallur fituese në tenderin e vitit 2013 për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të kompanisë së telefonisë mobile “Vala” për të cilën kishte ofruar 277 milionë euro, por pas disa shtyrjeve qeveria nuk nënshkroi kontratën me këtë kompani.

Nga padia e “Axos”-it nëse e humb rastin Kosova rrezikon të humbasë 180 deri në 500 milionë euro.

Qeveria e Kosovës më 28 korrik në Gjykatën e Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë në Paris humbi çështjen gjyqësore me shtypshkronjën shtetërore austriake OeSD.

OeSD-ja e kishte paditur ekzekutivin kosovar për ndërprerje të parakohshme të kontratës në lidhje me pasaportat biometrike, ndërsa arbitrazhi në Paris kërkoi nga qeveria që t’ia paguajë OeSD-së 5 milionë euro.

Pas vendimit të arbitrazhit Kryeministri Mustafa e kishte pranuar se qeveria po humb shumë raste gjyqësore, ndërsa kishte kërkuar angazhim më të madh të institucioneve kosovare për moshumbje të rasteve të tilla.