Qeveria: Kushtetuesja Vendosi-Tash Normaliteti

Kryeministri Mustafa tha se vendimi i gjykatës është në pajtim me nenin nëntë të Kushtetutës. Ky nen flet për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës.

“Qeveria e çmon vendimin e Gjykatës Kushtetuese ne mbesim te përkushtuar ne përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare,” tha Mustafa.

Por Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj të djeshëm në lidhje me pajtueshmërinë e parimeve të marrëveshjes për asociacionin me Kushtetutën e Kosovës, tha se të gjitha parimet nuk pajtohen me frymën e aktit më të lartë juridik të vendit, por i dha leje vazhdimit të themelimit të asociacionit.

http://kallxo.com/kushtetuesja-vendosi-per-asociacionin/

Mustafa në mbledhjen e sotme të qeverisë komentoi edhe mospajtueshmërinë e parimeve. Tha se “parimet nuk janë akt konkret juridik dhe asociacioni nuk themelohet mbi bazën e këtyre parimeve”.

Për vendimin e Kushtetueses foli edhe zëvendësi i Mustafës Hashim Thaçi.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet në tërësi dhe kjo marrëveshje e arritur buron nga ligjet e Kosovës,” tha Thaçi.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi tha se komuniteti serb duhet ta kuptojë se sa shumë të drejta ka me kushtetutë dhe të mos ndihet keq nga vendimi i gjykatës për kushtetutshmërinë e asociacionit.

“Edhe komuniteti serb nuk duhet te ndihet keq. Kushtetuta e Kosovës është mjaft gjeneroze në të drejtat e komuniteteve,” tha Kuçi.

Ministrja për dialog Edita Tahiri tha se me faktin që marrëveshja nuk u anulua, qeveria parimet e asociacionit i ndërtoi pa shkelje të kushtetutës.

“Ne kemi qenë vigjilentë që çdo gjë në këtë proces të përfshihet në kuadër të kushtetutshmërisë. Marrëveshja as nuk u anulua, vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pozitiv,” tha Tahiri.

Pas fjalëve për vendimin e gjykatës, Isa Mustafa e Hashim Thaçi bënë thirrje për kthimin e normalitetit mes pozitës e opozitës.

“Qeveria konsideron se është etike për vendin dhe pas kësaj konsiderojmë se nuk ka asnjë arsye për bllokim të punës së Kuvendit dhe protesta në rrugë,” tha Mustafa.

“Tanimë gjithë spektri politik kosovar duhet t’i rimarrë përgjegjësitë, të kthehet normaliteti i plotë i institucioneve të Kosovës,” tha Thaçi.

Por tri subjektet opozitare që po kërkojnë tërheqjen e nënshkrimeve të qeverisë nga marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit për asociacionin dhe demarkacionin, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese këto dy marrëveshje i konsideruan të vdekura.

http://kallxo.com/opozita-kerkon-largimin-e-mustafes-e-thacit-nga-qeveria/