Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Qeveria: Kosova Afër Pranimit në INTERPOL

Pasi ministri në detyrë Skender Hyseni pranoi një letër nga kreu i INTERPOL-it Jurgen Stock me të cilën u njoftua se kjo organizatë e ka futur në agjendë votimin për praniin e Kosovës, ka reaguar qeveria në detyrë.

“Pas një pune intensive dhe shumëmujore të Qeverisë së Kosovës, e në veçanti Ministrisë së Punëve të Brendshme, Republika e Kosovës është afër pranimit në INTERPOL”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Edhe kjo zyrë, sikurse dje Ministria e Punëve të Brendshme, duke iu referuar letrës së sekretarit të përgjithshëm të INTERPOL-it, njofton se në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it që do t’i zhvillojë punimet në Pekin të Kinës nga 26 deri më 29 shtator në agjendë është edhe pranimi i Kosovës.

Sipas qeverisë në detyrë, anëtarësimi në INTERPOL do t’i ndihmonte përmirësimit të gjendjes së sigurisë në Kosovë.

“Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të avanconte shumë kapacitetet e Kosovës në luftë kundër të gjitha krimeve, si dhe do të fuqizonte shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

INTERPOL-i është organizata më e fuqishme globale e bashkëpunimit policor, ndërsa në të janë të anëtarësuar 190 shtete.

KALLXO.com shkroi dje se kërkesa për anëtarësim e Kosovës do të shqyrtohet në shtator.

http://kallxo.com/ne-shtator-votohet-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-interpol/