Foto: Ilustrim

Qeveria kishte paguar dyfishin e çmimit për kompensim të lopëve

Vendimi i Qeverisë për kompensimin e fermerëve për kafshët e ngordhura “është injoruar” nga komisioni i vlerësimit, për shkak që në tri raste e kanë dyfishuar çmimin për një lopë, duke i shkaktuar humbje buxhetit të shtetit.

Qeveria e Kosovës përmes një vendimi të nxjerrë gjatë vitit të kaluar, kishte vendosur që t`i kompensoj fermerët vendorë për dëmin e pësuar me rastin e ngordhjes së kafshëve nga sëmundja gungore e lëkurës (LSD) gjatë vitit 2016.

Ky vendim i Qeverisë kishte specifikuar kompensimin se për një krerë lope do të jetë 1 mijë e 200 euro, për krerë vici, 500 euro dhe për demat/mështjerrat 800 euro për krerë.

Mirëpo, Zyra Kombëtare e Auditimit kishte gjetur se komisioni i vlerësimit që ishte formuar nga Qeveria e Kosovës, apo zyra e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në tri raste kishte kompensuar fermerët me 2 mijë e 400 euro për lopë, apo dyfishin e asaj çfarë kishte thënë vendimi i Qeverisë. E kjo, i kishte kushtuar Qeverisë me 3 mijë e 600 euro humbje.

“Nga 46 raste të audituara në vlerë prej 60,200€, në tri raste me vlerë prej 7,200€ kemi hasur në parregullsi ku ishin dyfishuar pagesat ndaj fermerëve. Fermerët janë kompensuar/paguar nga 2,400€ për gjedh, përderisa vlera e duhur për kompensim/pagesë ishte 1,200€ për gjedh”, thuhet në raportin Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA).

Kur zyrtarët e ZKA-së kanë bërë auditimin e Zyrës së Kryeministrit, zyrtarët përgjegjës kishin deklaruar se është bërë gabim nga ana e komisionit të vlerësimit dhe se kanë kërkuar nga fermerët që t`i kthejnë paratë.

“Gjithashtu, pas pranimit të draftit, sipas zyrtarëve përgjegjës të AUV-it, kryeshefi i Agjencionit ka ndërmarrë masat përkatëse lidhur me këto raste duke nxjerrë disa vendime me të cilat obligon fermerët që në afat prej 30 ditësh t’i kthejnë mjetet e pranuara në buxhetin e AUV-it”, thuhet gjithashtu në raportin e auditimi.

E për Zyrën Kombëtare të Auditimit, realizimi i pagesave të tilla është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe se rrit rrezikun e humbjeve të buxhetit.