Qeveria e Kosovës | Foto: Zyra e Kryeministrit

Qeveria Kalon Buxhetin për 2018-ën

 

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektbuxhetin prej 2 miliard e 82 milionë euro për vitin 2018. Sipas ministrit të Financave Bedri Hamza rritja ekonomike do të jetë 4.8%

Buxheti është miratuar pa nenin 12 për buxhetin për komunitete, pasi ministri Dalibor Jevtiq kërkoi buxhet shtesë për këtë kategori. Buxheti është aprovuar edhe pa pikën 4.1 të nenit 15 që ndërlidhet me Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal,  për rialokimin e mjeteve për projekte kapitale në komuna.

“Zyra për Komunitete dhe Kthim kërkon buxhet shtesë prej 1 milion euro, për me zbatu strategjinë për romë dhe kërkesa tjera që kemi marrë”, kërkoi ministri Jevtiq.

Lidhur me projektin për Termocentralin “Kosova e Re”, ka raportuar ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, i cili foli për rifillimin e negociatave me investitorin “Contour Global”.

Pas pyetjeve që bëri zëvendëskryeministri Behxhet Pacolli, lidhur me atë se a ka implikime financiare nëse Banka Botërore nuk financon termocentralin, ministri Lluka tregoi se dëmi eventual mund të jetë 19 milionë euro.

“Me kontratën aktuale, pas nënshkrimit komercial, dëmi maksimal 19 milionë euro nëse ndodh ndërprerja nga ana jonë, pra nëse nuk i gjejmë financim”, ka deklaruar ministri Lluka.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se për vitin 2018 buxheti do të jetë 2 miliardë e 82 milionë euro.

“Nga janari i vitit 2018, ky buxhet parasheh rritje të pagave për të gjithë sektorët publik. Përmes buxhetit do të mbështeten edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Projektet më të rëndësishme: autostrada Prishtinë – Shkup, Prishtinë – Mitrovicë, përfundimi i autostradës Skenderaj – Drenas, autostrada për Gjilan”, ka thënë ministri Hamza.

Ai ka deklaruar se rritja e buxhetit është koncentruar në sistemin e drejtësisë.

“690 pozita të reja në KPK dhe KGJK krahasuar më këtë vit. Shëndetësi, mbi 200 milionë euro, për herë të parë është ky buxhet për shëndetësi. Buxheti është rritur me 5% në kulturë. Për veteranët e luftës është paraparë mbështetje sipas dispozirave në fuqi. 446 milionë euro parashihen të jenë te hyra nga ATK”, ka thënë ministri i Financave para ministrave të Qeverisë Haradinaj.

Lidhur më mundësinë e penalizmit, Kryeministri Haradinaj tërhoqi vërejtjen se duhet të marrin vendime në mënyrë që t`u shmangen dënimeve më të mëdha në rastin e “pasaportave” me Austrinë, dhe rastin e hapur me AXOS për PTK-në.

“Ne kemi mbajtë një takim me komitetin drejtues, këtë javë a fillim të javës tjetër, që të kemi qartësinë finale para se me ndodhë takimi me investitorin. Kur jemi te dëmet, ne kemi një kontest të hapur për Axos, është afruar koha dhe mund të marrin vendim. Kemi edhe një vendim për pasaportat me Austrinë, duhet me diskutu si me u qasë që me kryer se mund të kalojë në gjykatë e të bëhet objekt i penaltive të ndryshme. Ju kisha lutë, nëse jeni dakord pasi pritet shumë shpejt me ndodhë vendimi, të autorizoj ‘Patton Box’ që të  gjejë një zgjidhje për Kosovën. Ne mundemi mos me u marrë më to, me thënë s`është i kësaj qeverie, por kur t`na vjen dënimi, dëmi është edhe më i madh”, ka thënë Kryeministri Haradinaj në mbledhjen e sotme ku është aprovuar buxheti për vitin 2018.