Nga një mbledhje e qeverisë | Foto: KALLXO.com

Qeveria Hesht Ndaj 'Ultimatumit' të Listës Serbe për Asociacionin

Qeveria e Kosovës dhe udhëheqësit e saj kanë zgjedhur të heshtin në lidhje me “ultimatumin” e deputetëve dhe zyrtarëve të Listës Serbe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sot në një tubim në Mitrovicën e Veriut, drejtuesit e Listës Serbe, ministrat serbë të qeverisë së Kosovës, deputetët dhe kryetarët e komunave me shumicë serbe, thanë se nëse Kosova nuk merr iniciativën për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, atëherë ata do formojnë vetë këtë Asociacion më 20 prill, në ditë kur marrëveshja e nënshkruar në Bruksel mes ish-kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiq, mbush 5 vjet.

KALLXO.com ka provuar të flasë me 4 zëvendës kryeministrat nga 5 sa ka Qeveria e Kosovës, por asnjëri s’ka folur në lidhje më takimin e politikanëve serb të Kosovës sot në Veri.

Zëvendës kryeministri Behgjet Pacolli pasi që hapi telefonin dhe iu kërkua të komentojë për takimin dhe deklaratat e politikanëve serbë të Kosovës tha se është në takim me një delegacion dhe se nuk mund të flasë për momentin.

E tre zëvendës kryeministrat e tjerë, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj dhe Dardan Gashi nuk janë lajmëruar në telefon.

Zëvendës kryeministri tjetër është nga radhët e Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, i cili ishte edhe pjesë e takimit të sotëm në veri të vendit.

Në telefon nuk është lajmëruar as këshilltari për media i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi.

Sot gjatë ditës, politikanët serbë të Kosovës, përfshi këtu deputetët dhe ministrat e Listës Serbe janë takuar në veri të vendit ku diskutuar për çështjet e fundit.

Kryetari i Listës Serbe, njëherësh edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ka bërë të ditur se nëse Prishtina nuk nis procedurat për formimin e asociacionit, atëherë ata do të bëjnë vet këtë me 20 prill.

Nëse Prishtina nuk nis procedurat për formimin e asociacionit, më 20 prill do ta formojmë Asociacionin sipas marrëveshjes së Brukselit, Kjo nuk është e njëanshme, është obligim i Prishtinës”, tha Rakiq.

http://kallxo.com/rakiq-me-20-prill-themelojme-asociacionin/

Të hënën, Policia e Kosovës me vendim të institucioneve kosovare arrestuan shefin e zyrës serbe për Kosovë, Marko Gjuriq për shkak se i njëjti kishte shpërfillur vendimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila nuk i kishte dhënë leje për të hyrë në territorin e Republikes së Kosovës.