Qeveria falënderon Avni Arifin para nisjes së tij për në Emiratet e Bashkuara
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka përshëndetur shefin e kabinetit të tij, Avni Arifin, i cili misionin e tij do ta vazhdoj si ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Haradinaj përmes një statusi në Facebook, ka thënë se e vlerëson shumë punën që Arifi e ka bërë për të mirën e vendit.
“Bashkëpunimi i afërt me Avni Arifin, këshilltarin e parë që në fillimet e mia si politikan dhe aktualisht Shefin e Stafit në Zyrën time politike, ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme. Gjatë tërë këtyre viteve e vlerësoj mbi të gjitha integritetin e tij në të gjitha aspektet dhe profesionalizmin e dëshmuar në të gjitha periudhat, për ngritjen dhe fuqizimin e institucioneve të vendit”, ka shkruar Haradinaj në facebook.
Tutje Haradinaj ka thënë që bashkëpunimi me Avni Arifin do të vazhdojë edhe në punë e tij si ambasador.
“Vazhdojmë të jemi bashkë me Avniun, në mision e tij të ri, si ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të mirën e shtetit tonë”, ka theksuar Haradinaj.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në muajin shkurt e ka dekretuar Avni Arifin si ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Mirëpo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ende nuk e ka caktuar zëvendësuesin e Avni Arifit, për anëtar të Ekipt Negociator të Kosovës për bisedimet me Serbinë, pasi ky i fundit tashmë është dekretuar për pozitën e ambasadorit.