Qeveria emëron bordet e 7 ndërmarrjeve, i mban emrat ‘nën dry’

Shtatë ndërmarrje publike janë bërë me bordet e tyre të kompletuara pasi propozimet e bëra janë miratuar nga qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot.

Por miratimi i tyre është bërë pa u lexuar emrat e të propozuarve nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Haradinaj ka lexuar vetëm pikën përkatëse të rendit të ditës, duke shmangur emrat për të cilët ministrat kanë votuar në mbledhje.

Gjatë mbledhjes së sotme janë votuar drejtorët e bordeve të ndërmarrjeve ‘Ibër Lepenci’, ‘Posta e Kosovës’, Ujësjellësi ‘Prishtina’, Ujësjellësi ‘Hidrodrini’, Kompania Rajonale e Ujitjes ‘Drini i Bardhë’, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Mitrovica’ dhe Kompania Rajonale e Ujitjes ‘Radoniqi-Dukagjini’.