Qeveria e Opozita në Mospajtime Për ‘Mbrojtjen Civile’

Me nënshkrimin e kontratave të punës me 483 ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, Qeveria e Kosovës konsideron se e ka zbatuar në plotëni Marrëveshjen e Brukselit të 26 marsit 2015, e cila parasheh shuarjen e kësaj organizate, e cila ka vepruar në veri të vendit që nga viti 2006 dhe që është kontrolluar dhe financuar nga Beogradi.

Ky proces megjithatë ka ngjallur reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Në një komunikatë, ky subjekt opozitar ka vlerësuar se “kriminelët po punësohen në polici”.

Duke përmendur integrimin e ish-pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile” në institucionet e Kosovës, Vetëvendosje akuzon Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa se nuk u shqetësua aspak për të vërtetuar se çfarë kanë bërë këta persona të sapopunësuar në Policinë e Kosovës para, gjatë dhe pas luftës.

Megjithatë, në njoftimin e së martës, ekzekutivi i vendit thotë se përzgjedhja e 483 personave është bërë në përputhje me Ligjin për Shërbyesit Civilë dhe Ligjin e Punës dhe se kandidatët, të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, i kanë kaluar verifikimet e sigurisë nga ana e Policisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të sigurisë në vend.

Sipas Qeverisë së Kosovës, përmes integrimit të këtyre ish-pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile” arrihet një qëllim i natyrës strategjike – shtrirja e sovranitetit shtetëror në pjesën veriore të vendit, diçka që ka qenë e pamundur për një kohë të gjatë për “shkaqe të njohura politike”.

“Integrimi i këtyre personave në institucionet qendrore të shtetit të Kosovës është një hap i rëndësishëm drejt shtrirjes së sovranitetit dhe nxjerrjes së Serbisë nga kjo pjesë, duke e ditur se Beogradi ka qenë prezent në këtë pjesë gjithë këto vite të pasluftës me strukturat e veta paralele” ka thënë për KALLXO.com ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Sipas saj, përveç normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, qëllim i dialogut të Brukselit është edhe integrimi i serbëve të kësaj pjese në sistemin shtetëror dhe në jetën politiko-shoqërore kosovare.

“Dialogu i Brukselit përfshin edhe shuarjen nga Serbia të strukturave të saj në Kosovë dhe ndërprerjen e çfarëdo ndërhyrjeje mbi serbët e Kosovës, duke i penguar ata në integrimin e tyre” ka theksuar ministrja Tahiri.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar të martën se të hënën kontrata pune me institucionet qendrore të vendit kanë nënshkruar edhe 378 ish-pjesëtarë të “Mbrojtjes Civile”, pas 105 të tjerëve që kontrata me logo të republikës kishin nënshkruar në tetor të vitit të kaluar.

Përfundimin e procesit të integrimit në institucionet kosovare e ka përshëndetur edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Sipas saj, ish-pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” edhe në strukturat e reja në të cilat janë punësuar nga 1 janari 2016 do të vazhdojnë të jenë në funksion të mbrojtjes së interesave të bashkësisë serbe në Kosovë.

Organizata “Mbrojtja Civile” është formuar në veri të Kosovës në vitin 2006, në kohën kur në krye të qeverisë serbe ishte Vojisllav Koshtunica. Llogaritet se ajo kishte 700 pjesëtarë.

Përderisa nga komuniteti serb në veri të Mitrovicës ky formacion shihej si strukturë që ofronte siguri për ta, nga shqiptarët në pjesën jugore të qytetit konsiderohej si një grup bandash kriminale.

http://kallxo.com/mbrojtja-civile-sherbyes-apo-bandite/

Sipas ministres kosovare për Dialog, procesi i zhbërjes së strukturave paralele serbe së shpejti do të vazhdojë me shuarjen e të gjitha strukturave të drejtësisë dhe vendosjen e sistemit unitar të drejtësisë së Kosovës edhe në pjesën veriore të vendit, me ç’rast gjykatësit dhe prokurorët serbë që përpara kanë punuar për struktura paralele tani do të bëhen pjesë e sistemit shtetëror të Kosovës.

“Serbia është e obliguar që të shuajë këto struktura ligjërisht dhe t’u ndalë pagat njerëzve që kanë punuar për to. Dështimet në këto procese, Serbisë i kushtojnë me integrime evropiane”, ka theksuar Edita Tahiri në prononcimin për KALLXO.com.

Ndërsa, analisti politik, Belul Beqaj, integrimin e ish-pjesëtarëve të “Mbrojtjes Civile” në institucionet shtetërore të Kosovës e vlerëson si hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe thellim të seriozitetit edhe nga pala serbe për obligimet që i ka marrë karshi Kosovës, por edhe BE-së.

“Formalisht është një hap i rëndësishëm, por praktikisht mbetet të shihet se a janë këta njerëz me të vërtetë të interesuar që të kontribuojnë në themelimin e institucioneve të Kosovës apo kanë hyrë në institucionet kosovare për t’i dëmtuar dhe për të cenuar funksionalitetin e tyre”, ka thënë Beqaj për KALLXO.com.